×
  • Lajme
  • Lajme / Reagimi

    “Sulm ndaj vlerave të luftës”, organizatat e UÇK-së dënojnë deklaratën e Kurtit për Thaçin e Veselin

    Reporteri
    03 Korrik 2025 | 10:07

    Organizatat e dala nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, OVL, SHIL dhe SHFD kanë reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit në detyrë Albin Kurti, i cili pretendoi se ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli po japin “instruksione politike nga burgu në Hagë”.

    Në një komunikatë për media, këto organizata e cilësuan këtë deklaratë si “jashtëzakonisht të papërgjegjshme dhe politikisht të rrezikshme”, duke theksuar se ajo vjen në një kohë kur ndaj Thaçit dhe të tjerëve po zhvillohet një proces gjyqësor ndërkombëtar për akuza që përfshijnë frikësim, pengim dhe hakmarrje ndaj dëshmitarëve.

    OVL, SHIL dhe SHFD kritikuan ashpër Kurtin për mbështetjen e një narrative që sipas tyre “mund të dëmtojë betejën për drejtësi të ish-krerëve të UÇK-së” dhe përmendën mungesën e mbështetjes së tij gjatë viteve të paraburgimit.

    “Z. Kurti, kur s’mund të ndihmosh, të paktën mos i dëmto! Gjatë këtyre pesë viteve paraburgim të zgjatur, asnjëherë nuk ke bërë një vizitë, as një fjalë nuk ke thënë për keqtrajtimet e tyre, ndonëse e gjithë Kosova dhe personalitete të shumta ndërkombëtare kanë reaguar për padrejtësitë që po u bëhen”, thuhet në reagimin e tyre.

    Organizatat e ish-UÇK-së bëjnë thirrje për respekt dhe mbrojtje të vlerave të luftës dhe paralajmërojnë se nuk do të heshtin përballë gjuhës që “përçmon dhe rrezikon të vërtetën historike”.

    “Kjo frikë që ke ndaj ish-krerëve të UÇK-së, se mund të kthehen të pafajshëm dhe me dinjitet në vend, nuk është vetëm e jotja, por është frika që ndajnë edhe armiqtë më të mëdhenj të shqiptarëve dhe të së vërtetës historike të luftës sonë çlirimtare”, thuhet në reagim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!