×
  • Lajme
  • Lajme / Gjykata Themelore Prishtinë

    Sulmi në Ibër-Lepenc, dy të dyshuarve iu vazhdohet paraburgimi edhe për dy muaj

    Reporteri
    08 Janar 2025 | 16:05

    Gjykata Themelore në Prishtina ua ka vazhduar masën e paraburgimit edhe për dy muaj dy të dyshuarve për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit.

    Zëdhënësja e kësaj gjykate, Mirlinda Gashi ka thënë për Gazetën Online Reporteri.net se kërkesa nga Prokuroria Speciale për vazhdimin e paraburgimit më 23 dhjetor 2024.

    “Referuar kërkesës tuaj për informata, ju njoftojmë se pas kërkesës së Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës të datës 23.12.2024 për vazhdimin e masës së paraburgimit në çështjen penale kundër të pandehurve J.V. dhe D.V., Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti Special me datë 27.12.2024 ka marr Aktvendim dhe ka aprovuar kërkesën e PSRK-së, ashtu që masa e paraburgimit të pandehurve J.V. dhe D.V., iu vazhdohet në kohëzgjatje prej 2 (dy) muaj, për secilin”, thuhet në përgjigjen e Gjykatës Themelore në Prishtinë për Reporteri.net.

    Më 29 nëntor në fshatin Varagë të Zubin Potokut, ndodhi një shpërthim i fuqishëm ku dëmtoi kanalin e ujit të Ibër-Lepencit, prej ku furnizohen me ujë nga Liqeni i Ujmanit disa qytete të vendit, si dhe Korporata Energjetike e Kosovës për ftohjen e termoelektranave të saj.

    Sulmi u cilësua si akt terrorist, e u dënua nga faktori ndërkombëtar.

    Çfarë thotë dosja e Prokurorisë për dy të dyshuarit?

    Sipas Prokurorisë, ekziston dyshimi i bazuar se më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50 në fshatin Varagë, Komuna e Zubin-Potokut, respektivisht në pjesën e kanalit Ibër-Lepenc, e cila përdoret për furnizimin e qytetarëve të Republikës së Kosovës me ujë të pijshëm dhe për nevoja të termocentraleve të Kosovës për prodhimin e energjisë elektrike, i dyshuari Jovan Viqentijeviq në bashkëkryerje me të dyshuarin Dragisha Viqentijevq (vëllanë e tij), me qëllim të shqetësimit serioz të banorëve dhe cenimit të rendit kushtetues dhe sigurisë publike në Republikën e Kosovës, qëllimisht kanë dëmtuar pajisjet publike të ujësjellësit dhe kanë kryer veprën penale terroriste duke përdorur eksploziv dhe mjete eksplozive drejtpërdrejt në pjesën e kanalit dhe atë në infrastrukturën e betonit.

    Tutje dosja e publikuar nga “Betimi për Drejtësi”, thotë që të dyshuarit e kanë aktivizuar eksplozivin dhe si pasojë kanë dëmtuar rëndë dhe e kanë bërë të papërdorshëm për shfrytëzim të mëtutjeshëm ujin, kështu që ua kanë pamundësuar qytetarëve furnizimin me ujë për pije dhe e kanë rrezikuar prodhimin e energjisë elektrikë në nivel te vendit.

    Dosja e Prokurorisë: Dy të arrestuarit dyshohen se kryen shpërthimin me eksploziv në kanalin e Ibër-Lepencit

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!