×
  • Lajme
  • Lajme / E FUNDIT

    Sulmohet Policia e Kosovës në veri: Vritet një polic, plagoset një tjetër

    Reporteri
    24 Shtator 2023 | 7:43

    Një polic ka mbetur i vrarë si pasojë e sulmeve në fshatin Banjskë të Zveçanit. Një tjetër polic është plagosur. Lajmin e ka bërë të ditur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Kurti, në një postim në Facebook ka bërë të ditur se policia e Kosovës është sulmuar në Banjskë rreth orës 3 të mëngjesit, ndërsa si pasojë e sulmit rreshteri policor A.B. ka mbetur i vdekur, kurse është plagosur një polic kufitar. Ai ka thënë se po vazhdojnë të shtënat me armë në këto momente.

    “Rreth orës 3 të mëngjesit sot, në fshatin Banjska të Leposaviqit, është sulmuar policia e Kosovës me ç’rast është vrarë një polic i Kosovës dhe një tjetër është plagosur. I vrari është polic i rendit me gradën rreshter, kurse i plagosuri është pjesëtar i policisë kufitare. Në këto momente ende vazhdojnë gjuajtjet me armë zjarri të kalibrave të ndryshëm mbi policinë tonë. Sulmuesit janë profesionistë me maska e të armatosur edhe me armë të rënda”, ka shkruar Kurti në Facebook.

    Ai ka treguar se polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë.

    “Ne e dënojmë këtë sulm kriminal e terrorist. Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve. Policia e Kosovës e ka njoftuar familjen e policit të vrarë A.B. Polici i plagosur është jashtë rrezikut për jetë. Ngushëllime familjes dhe të gjithëve për policin tonë të vrarë. Shërim të shpejtë e të plotë policit të plagosur”, ka shkruar Kurti.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!