×
  • Lajme
  • Lajme / Zgjedhjet e 9 shkurtit

    Supremja hedh poshtë ankesën e VV-së ndaj PZAP-së për certifikimin e Listës Serbe

    Reporteri
    31 Dhjetor 2024 | 11:22

    Gjykata Supreme ka hedhur poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje kundër vendimit të panelit të PZAP-së lidhur me certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Zëdhënësja e kësaj gjykate, Antigona Uka ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net se në seancën e 30 dhjetorit është hedhur poshtë si e palejuar ankesa e VV-së

    “Kolegji i Gjykatës Supreme, në seancën e mbajtur me datë 30 dhjetor 2024, e ka hedhur poshtë si të palejuar ankesën e subjektit politik Vetëvendosje, të paraqitur kundër vendimit të Panelit për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP)”, tha Uka për Gazetën Online Reporteri.net.

    Të premten e 27 dhjetorit, VV-ja dorëzoi ankesë në Gjykatën Supreme ndaj vendimit të Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa që urdhëroi KQZ-në ta certifikojë Listën Serbe për pjesëmarrje në zgjedhjet e 9 shkurtit.

    Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës Gjykata Supreme duhej të vendoste për këtë ankesë në një afat prej pesë ditësh.

    Përfaqësuesit e partisë në pushtet në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) kanë votuar kundër certifikimit të Listës Serbe, gjatë një mbledhjeje të mbajtur më 23 dhjetor.

    Më 25 dhjetor, PZAP-ja aprovoi ankesën e Listës Serbe ndaj vendimit të KQZ-së për të mos ta certifikuar atë.

    Sipas arsyetimit të këtij mekanizmi, Lista Serbe me aplikimin e saj për të marrë pjesë në zgjedhjet e 9 shkurtit kishte plotësuar të gjitha kriteret ligjore të kërkuara.

    /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!