×
  • Lajme
  • Lajme / Rekomandimi i IPK-së

    Suspendohet kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, incizoi tinëz kolegët

    Reporteri
    10 Maj 2024 | 21:13

    Kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, toger Imer Zeqiri është suspenduar sot nga Inspektorati Policor i Kosovës nën dyshimin se ka kryer veprën penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”.

    Lajmi është bërë i ditur nga burime të gazetës online Reporteri.net në Policinë e Kosovës.

    Burimet bëjnë të ditur se Zeqiri i ka incizuar pa autorizim kolegët e tij të zyrës, gjegjësisht nënkryetarët e kësaj sindikate.

    Suspendimin e tij e ka konfirmuar edhe IPK por pa dhënë detaje.

    “Inspektorati Policor i Kosovës respektivisht Departamenti i Hetimeve përmes Linjës së Kaltër (numrit të telefonit pa pagesë 080003333) ka pranuar sot një informacion nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimet se nga një toger policor është kryer vepra penale “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”. Pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku dyshohet se është kryer vepra penale respektivisht në zyrat e Sindikatës së Policisë së Kosovës. Zyrtarët e IPK-së kanë kontaktuar me Prokurorin kompetent duke ndërmarrë veprime konkrete hetimore së bashku edhe me njësi relevante të Policisë së Kosovës.”, thuhet në njoftimin e IPK-së/

    Në kuadër të veprimeve hetimore është bërë ekzaminimi i vendit të ngjarjes si dhe është konfiskuar një telefon mobil i cili pritet të dërgohet për ekzaminim të mëtutjeshëm forenzik.

    “IPK pas veprimeve fillestare hetimore ka rekomanduar suspendimin e zyrtarit të dyshuar.”, thuhet tutje në njoftim. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!