Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka konfirmuar sot se në kuadër të operacionit të Policisë së Kosovës dhe organeve të hetuesisë në komunën e Kaçanikut janë kryer arrestime të reja. Ai theksoi se operacioni është ende në zhvillim e sipër dhe se numri i saktë i të arrestuarve pritet të bëhet i ditur më vonë.
“Tashmë është publike se ka arrestime të reja. Numri përfundimtar ende nuk dihet. Aksioni është duke vazhduar,” deklaroi Sveçla, pas daljes nga një mbledhje në të cilën dështoi konstituimi i Kuvendit.
Policia e Kosovës kishte bërë të ditur që në orët e hershme të mëngjesit se ka nisur një aksion në Kaçanik, në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë. Njësitet relevante të Policisë janë angazhuar në këtë operacion që lidhet me rastin e vrasjes së rreshterit Muhamed Lika, i cili u vra më 1 prill në shkallët e ndërtesës ku banonte.
Autoritetet policore theksojnë se aksioni është në vijim e sipër dhe se, pas përfundimit të tij, do të bëhen publike informacione shtesë lidhur me rezultatet dhe masat e ndërmarra.
“Edhe në këtë rast pas përfundimit të operacionit policor, i cili po realizohet në bashkëpunim dhe koordinim me organet e drejtësisë, do të bëhen publike informacione shtesë”, thuhet në njoftim.
Policia e Kosovës kishte arrestuar Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkelqim Kuka, dhe Diamant Gashi, nën dyshimin për vrasjen e rreshterit Muhamed Lika më 1 prill në Kaçanik. Ata dyshohen për “planifikimin dhe kryerjen e vrasjes” së rreshterit Muhamed Lika.
Rreshteri Lika u vra më 1 prill, në shkallët e ndërtesës ku banonte, teksa po kthehej nga puna. Drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, dhe kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Ferizaj, Burim Çerkini, kanë deklaruar se dyshohet që motivi i vrasjes lidhet me detyrën e tij si zyrtar policor.
Gjykata Themelore në Ferizaj, të martën më 22 prill, ka aprovuar kërkesën e Prokurorisë Themelore të Ferizajt, duke ua caktuar masën e paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh (secilit veç e veç) të pandehurve Haki Bela, Rilind Murati, Vatan Çaka, Edmond Lika, Shkelqim Kuka, dhe Diamant Gashi.