Sveçla reagon për zhvillimet në Veri: Lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë

Xhelal Sveçla, Ministër i Punëve të Brendshme

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka reaguar pas të shtënave në Veriun e Kosovës në drejtim të një patrulle të KFOR’it.

Ai tha se pasi Beogradi e kuptoi që bandat kriminale të cilat i mbështesin kanë sulmuar KFOR’in, tani mohojnë të gjitha sulmet.

Sveçka ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijnë pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit.

Postimi i tij:

Lojërat e Vuçiqit dhe instrumenteve të tij kriminale po vazhdojnë. Fillimisht deklaruan se në Zubin Potok ka pasur përleshje të armatosura të iniciuara nga Policia e Kosovës dhe Njësitë e saj Speciale.

Mirëpo, kur e kuptuan se bandat kriminale të mbështetura nga vet ai kanë sulmuar KFOR-in, duan t’i mohojnë të gjitha sulmet. Barrikadat duhet të hiqen menjëherë. Serbia duhet të ndalojë organizimin dhe mbështetjen e strukturave kriminale ilegale që duan të destabilizojnë Republikën e Kosovës.

Policia e Kosovës do të vazhdojë të luaj rolin e saj dhe përmbushë misionin e vet.
Bëj thirrje tek të gjithë qytetarët që të mos bijnë pre e propagandës së Serbisë për të nxitur një konflikt të ri dhe të bashkëpunojnë me Policinë dhe organet e rendit.