×
  • Lajme
  • Lajme / DPT te Fidani

    Tahiri: Kurti thoshte se s’dialogon me Vuçiqin derisa nuk zbardhet çështja e të zhdukurve, por shkoi në Bruksel

    Reporteri
    09 Korrik 2024 | 23:40

    Shefi i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Besnik Tahiri, në një intervistë në emisionin DPT te Fidani në ATV ka folur mbi aktualitetin politik, shkruan Reporteri.net.

    Tahiri, tha se “ky vit ka qenë totalisht i humbur”.

    “Agjenda legjislative e Qeverisë së Kosovës, janar-qershor, i ka pasur 54 ligje vetëm 6 ligje kanë kaluar. 11 për qind është zbatimi i ligjeve”, u shpreh Tahiri, duke thënë se “agjenda legjislative është letërnjoftimi i një qeverie”.

    “Jeta po vështirësohet në këtë vend”, u shpreh Tahiri.

    Tahiri, mes tjerash, kritikoi Kuvendin e Kosovës që e ka çuar në renovim sallën e kuvendit në kohë të paduhur.

    “Kjo erdhi për shkak të një qeverisje tepër të dobët, e cila në këtë mandat nuk e kreu asnjë punë të hairit. Populli ka pasur shumë shpresë. Pas 14 shkurtit, LVV mendonte se filloi një epokë e re. Për 4 vjet mos me mujtë me ia bë asnjë veprim që i jep Kosovës është e pamundshme”, u shpreh Tahiri tutje,

    Deputeti i AAK-së, ka kritikuar Qeverinë e Kosovës edhe për “rrugët e Kosovës”, që sipas tij, janë tërësisht të shkatërruara.

    “Me shku rrugës për Gjakovë, apo për Mitrovicë, është tmerr”, tha Tahiri.

    Dialogu

    Besnik Tahiri i AAK-së, foli edhe për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, dhe kushtet që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i pati në takimin e fundit në Bruksel.

    “Është ky kryeministër i cili në programin e vet qeveritar thoshte që dialogu është pika e 7 e nuk është prioritet. Thoshte se nuk do të dialogojë me Vuçiqin derisa nuk zbardhet çështja e të zhdukurve. Në Bruksel e bëri atë që di ta bëjë më së miri, me fol me rima, me i folë popullit që i ka kërkuar Vuçiqit një 1.2.3, kjo është politikë elektorale”, tha Tahiri.

    Tahiri ka kritikuar Kurtin për qasjen e tij në dialog.

    “Qysh ka logjikë me thënë që dialogu ka vdekur. Me thënë se statutin e Asociacionit nuk e pranoj, kur pas 5 dite e çon zëvendësin e vet (Besnik Bislimin)”, tha Tahiri.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!