Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arian Tahiri, ka thënë se miratimi me 99 vota i Deklaratës së Kuvendit për aktgjykimin e Dhomave të Specializuara në Hagë dëshmon vullnetin politik të deputetëve për të ndërmarrë hapa institucionalë lidhur me këtë çështje.

Tahiri, pas përfundimit të seancës së Kuvendit, ka falënderuar të gjitha grupet parlamentare që e mbështetën deklaratën, e cila ishte iniciuar nga PDK-ja.

“Është një moment i rëndësishëm, është një moment ku u reflektua vullneti i Kuvendit të Kosovës. Dëshiroj që, në emër të Partisë Demokratike të Kosovës, si iniciatore e deklaratës, t’i falënderoj të gjitha grupet parlamentare përfaqësuese në Kuvendin e Kosovës, që me votën e tyre unanimisht e mbështetën deklaratën”, ka thënë Tahiri.

Reklamë

Ai ka deklaruar se Kuvendi tashmë e ka kryer punën e tij, ndërsa përgjegjësinë ia ka bartur Qeverisë, duke kërkuar që projektligji për Dhomat e Specializuara të kthehet sa më shpejt në Kuvend.

“Kuvendi e kreu punën e vet, pra u pa vullneti politik, që është shumë e rëndësishme për qytetarët e Republikës së Kosovës, ndërsa tash përgjegjësia është te Qeveria”, është shprehur ai.

Tahiri ka rikujtuar se PDK-ja ka draftuar dhe proceduar ndryshimet ligjore për Dhomat e Specializuara dhe se projektligji aktualisht ndodhet në Qeveri.

Ai ka kërkuar që Qeveria ta trajtojë me urgjencë këtë çështje dhe ta procedojë projektligjin në Kuvend, në mënyrë që vullneti politik i shprehur përmes deklaratës të konkretizohet edhe përmes votimit të ligjit.

Reklamë

“Presim që Qeveria ta bëjë punën e vet sot dhe nesër, ose pasnesër, këto ditë shumë shpejt, ta sjellë ligjin në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ta gjejmë mbështetjen që po t’i deklaratës dhe t’i bëjmë veprimet tona të përgjegjshme, të menjëhershme”, ka thënë Tahiri.

I pyetur nëse çështja e ligjit për Dhomat e Specializuara duhet të lidhet me zgjedhjen e presidentit, Tahiri ka thënë se bëhet fjalë për dy çështje të ndara.

“Janë tema që nuk duhet me i lidhë. Ligji është temë e veçantë, është përgjegjësi kombëtare, përgjegjësi institucionale, përgjegjësi politike, përgjegjësi morale, përgjegjësi individuale e secilit deputet shqiptar”, ka deklaruar ai.

Ndërsa për zgjedhjen e presidentit, Tahiri ka bërë thirrje për qasje proaktive dhe konsensus ndërmjet partive politike.

Reklamë

“Çështja e presidentit është çështje e vullnetit të partive politike, që patjetër duhet me pas qasje proaktive, konsensus, dhe mos me e lanë shkaktar të zgjedhjeve të njëpasnjëshme, sepse asnjë qytetar i Republikës së Kosovës nuk i do zgjedhjet dhe vendi nuk është që ka nevojë për zgjedhje”, ka thënë ai.

Tahiri ka theksuar se Deklarata e miratuar nga Kuvendi është shprehje e vullnetit politik dhe jo akt juridik.

“Edhe rezoluta, edhe deklarata janë shprehje e vullnetit politik, po nuk janë akte juridike. Është vullnet, u panë 99 vota për. 99 deputetë i falënderoj secilin prej tyre që ka votuar deklaratën dhe e ka shprehur vullnetin e plotë”, ka thënë Tahiri.

Sipas tij, votimi i sotëm tregon se projektligji mund të ketë mbështetje në Kuvend nëse Qeveria e procedon atë.

Reklamë

“Është dëshmi që, nëse ligji kthehet prej Qeverisë, do të gjejmë mbështetje. Andaj i bëj thirrje njëherë Qeverisë së Republikës së Kosovës që ligjin ta kthejë në Kuvend, ta kthejë në Kuvend me urgjencë dhe ky vullnet politik të konkretizohet me votë”, ka përfunduar Tahiri.