Takimi kokë më kokë Osmani-Abdixhiku që do ta sqarojë qëndrimin e LDK-së për çështjen e presidentit

Lidhja Demokratike e Kosovës është duke e pritur thirrjen e Vjosa Osmanit në mënyrë që kreu i këtij subjekti të takohet me të për të folur për çështjen e presidentit.


Deri më tani nga ish-kryeparlamentarja nuk kanë nisur ftesë në drejtim të Lumir Abdixhikut, ani pse seanca për të votuar për karrigen më të rëndësishme të shtetit u tha se mund të mbahet disa ditë pas votimit të Qeverisë

Dje është jetësuar një pjesë e marrëveshjes për bashkëqeverisje që Albin Kurti dhe Vjosa Osmani e kishin nënshkruar pak kohë para datës së zgjedhjeve të jashtëzakonshme.

Kurti është emëruar me 67 vota kryeministër, derisa, në krye të organit më të lartë legjislativ në vend është emëruar Glauk Konjufca që mori 69 vota të deputetëve.

LDK-ja që nuk e ka votuar Qeverinë e Albin Kurtit e as Konjufcën si kryeparalmentar, kanë premtuar qëndrim konstruktiv e kanë thënë se për çështjen e presidentit do të takohen ndaras me Vjosa Osmanin.

Këtë qëndrim të Lidhjes Demokratike e bëri të ditur në një paraqitje para gazetarëve kreu i këtij subjekti, Lumir Abdixhiku.

“Ne do të jemi një opozitë aktive dhe do të jemi një alternative e re. Këtu përfundojmë takimin me VV’në dhe jemi të dakorduar, që pas formimit të qeverisë, të takohemi me pretendenten për presidente, dhe të kuptojmë pozicionin e saj karshi LDK’së, Vetëvendosjes, opozitës. Presim që javën e ardhshme të kemi ftesë nga kandidatja për presidente”, ka thënë Abdixhiku pas takimit, duke thënë se me Osmanin sipas të gjitha gjasave takohen këtë javë.

Një ditë pas votimit të Qeverisë e konstituimit të Kuvendit, një takim mes Vjosa Osmanit e Lumir Abdixhikut nuk dihet se kur do të mbahet.

Burime të Express’it brenda LDK-së kanë bërë të ditur se deri më tani nuk ka ndonjë datë, e se janë duke pritur ftesën nga ekipi i Osmanit.

Në LDK thonë se pritet që Osmani ta ftojë Abdixhikun, por që subjekti që udhëhiqet nga Lumir Abdixhiku nuk e di ende se kur do të shkojë kjo ftesë.

Se kur mund të ketë ftesë për takim Osmani – Abdixhiku nuk e kanë sqaruar as në zyrën e Osmanit të pyetur nga Expressi.

Kjo javë është diskutuar në opinion se mund të jetë përfundimtare sa i përket krijimit të institucioneve të reja.

Osmani dhe Kurti kanë takuar në takime të ndara krerët e subjekteve politike, derisa, AAK-ja e PDK-ja tashmë kanë deklaruar se nuk do ta përkrahin kryetarën e Listës “GUXO” si kandidate për presidente.

Dyshja që fitoi zgjedhjet e 14 shkurtit po del të ketë telashe edhe me Listën Serbe, pasi që ky subjekt mori vetëm një ministri.

Lista Serbe është ankuar se do të drejtohet në Gjykatë Kushtetuese e tashmë është diskutabile nëse të njëjtët do të pranonin të qëndronin në sallë apo të votonin Osmanin për karrigen më të rëndësishme të shtetit.

Se a do të pranonte LDK-ja që të votonte për Osmanin ka treguar edhe nënkryetari i parë i LDK-së, Lutfi Haziri.

Në T7 ai ka thënë se bisedat për këtë temë do t’i qartësojnë me kandidaten për presidente, teksa shtoi se po kërkohet votë vetëm për pjesëmarrje në seancë.

“Nuk po kërkohet votë për president. Duhet të merret vetëm pjesë në votim. Diskursi politik është që po kërkohet pjesëmarrje e 80 deputetëve”, ka deklaruar Haziri.

Vjosa Osmani e ka ushtruar detyrën e presidentit të Kosovës për disa muaj pas dorëheqjes së Hashim Thaçit.

Në marrëveshjen LVV-Lista “GUXO”, Osmani ishte bërë e ditur se do të marrë pozitën e presidentit të Kosovës.

Osmani që kishte dalë më e votuara nga zgjedhjet e 14 shkurtit si kundërkandidat për pozitën e presidentit e kishte Ramush Haradinajn, megjithatë, duket se i njëjti është tërhequr nga kjo garë.

Ajo mund të emërohet presidente vetëm nëse i siguron 2/3 e votave të të gjithë deputetëve.

“Zgjedhja e Presidentit bëhet me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Nëse asnjëri kandidat nuk merr shumicën prej dy të tretave (2/3) në dy votimet e para, organizohet votimi i tretë në mes të dy kandidatëve të cilët kanë marrë numrin më të lartë të votave në votimin e dytë dhe kandidati që merr shumicën e votave të të gjithë deputetëve, zgjidhet President i Republikës së Kosovës”,, saktëson Kushtetuta e Kosovës.

Vendi mund të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme në rast se asnjëri kandidat nuk arrin votat e nevojshme, derisa zgjedhjet sipas Kushtetutës në raste të tilla duhet të mbahen brenda 45 ditësh.