I dërguari i posaçëm i SHBA-së për dialogun, Richard Grenell përmes Twitterit ka konfirmuar se më 27 qershor do të ketë diskutime për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.
Ambasadori Grenell ka thënë se mezi pret të rinisin këto diskutime, por ai ka paralajmëruar se nëse nuk arrihet një marrëveshje, palët do të kthehen në status quo, shkruan Reporteri.net.
“Nëse secila palë është e pakënaqur me diskutimet e 27 qershorit, ata do të kthehen në status quo pasi të largohen nga Uashingtoni. Siç kemi thënë vazhdimisht, së pari duhet të përparojmë në rritjen e ekonomive. Ky është fokusi. Mezi pres këto diskutime”, ka shkruar ai.
Pas njoftimit të Grenell për takimin e radhës në Shtëpinë e Bardhë, ka reaguar edhe presidenti Hashim Thaçi, i cili e ka mirëpritur ftesën e SHBA-ve.
“Udhëheqja dhe mbështetja e SHBA-së ka qenë gjithmonë vendimtare për të ardhmen e Kosovës. Andaj, mirëpres ftesën për vazhdimin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve nën lidershipin e presidentit Donald Trump dhe të Dërguarit Special, Richard Grenell”, ka shkruar Thaçi në Twitter.
Presidenti me këtë status ka injoruar BE-në duke thënë se dialogu do të bëhet nën lidershipin e presidentit amerikan dhe ambasadorit Grenell. /Reporteri.net/.