×
  • Lajme
  • Lajme

    “Tash e tutje nuk do të ketë stagnim të pagave”, Kryeministri Kurti publikon listat e pagave me rritje

    Reporteri
    01 Shkurt 2023 | 13:24
    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

    Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se tani e tutje nuk do të ketë stagnim të pagave, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Kreu i ekzekutivit përmes një postimi në Facebook ku dhe ka publikuar listat me rritje, ka thënë se “pagat do të lëvizin sipas rritjes, punës e rezultateve që kemi të gjithë ne bashkë në rritjen ekonomike të vendit”.

    “Barazi dhe ndershmëri për pagat në mes të kategorive, ngushtim të hendekut midis zyrtarëve të lartë dhe të tjerëve, si dhe mbështetje solide për katër kategoritë jetike për funksionimin e shoqërisë, atë të mjekëve, arsimtarëve, policëve dhe ushtarakëve. Tash e tutje nuk do të ketë më stagnim të pagave pafundësisht. Ato do të lëvizin sipas rritjes, punës dhe rezultateve që kemi të gjithë ne bashkë në rritjen ekonomike të vendit”

    Pas mbledhjes së Qeverisë, Kryeministri Kurti tha se sivjet në Kosovë u bë rritja më e madhe e pagave ndonjëherë në vend.

    “Nga viti në vit 20 deri në 25 milionë euro është rritur totali i pagave në sektorin publik kësaj here i kemi rritur në 105 milionë euro është rritja më e madhe ndonjëherë në Kosovën e pavarur. Kur pjesëtohet me numrin e zyrtarëve publikë kemi arritur te ky numër i koeficientit”, ka thënë Kurti në një konferencë për medie.

    Gjithashtu, kreu i ekzekutivit bëri të ditur se vlera e koeficientit për vitin e ardhshëm do të jetë 110.

    Vlerën e koeficientit 105, e mirëpriti SBAShK-u, e që sipas tyre ata arritën qëllimin.

    Ndërsa nga PDK, Abelard Tahiri tha se koeficienti 105 është mjerim dhe sipas tij e thellon varfërinë në vend.

    “Ky është një koeficient i mjerimit, është një koeficient që e thellon varfërinë në vendin tonë dhe është një koeficent që i demotivon të gjithë ata të rinj e të reja që duan të jenë pjesë e administratës shtetërore, qoftë e policisë apo ushtrisë”, tha Tahiri.

    Kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku e ka quajtur këtë koeficient si “koeficient të zbrazjes” së Kosovës. Sipas tij, koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik.

    Abdixhiku ripërsëriti se LDK-ja ka propozuar koeficient në vlerë prej 125.

    “Koeficienti në vlerë prej vetëm 105 është goditje e radhës ndaj mjekëve, mësuesve, policëve, ushtarëve e gjithë shërbyesve publik. Është braktisje e njerëzve të vendit; që shkakton braktisjen e tyre të vendit”, ka shkruar ndër të tjera Abdixhiku.

    Ndërsa si koeficient minimal po e sheh AAK. Besnik Tahiri tha se vlera e koficientit do të duhej të ishte 129 euro.

    Në anën tjetër, përfaqësues i shoqatave sindikale të shërbyesve civilë, Ali Sefaj, ka kundërshtuar ashpër koeficientin 105 euro të vendosur nga Qeveria e Kosovës për Ligjin e Pagave./Reporteri.net/

    Reagimet e para, pakënaqësi me koeficientin e pagave: Koeficient i mjerimit, goditje ndaj shërbyesve civilë

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!