Të dënuarit me mbi 11 vjet burg për vjedhjen nga e cila arritën të grabisin vetëm një çamçakëz, kërkojnë lirim ose rigjykim

Të dënuar me mbi 11 vjet burg efektiv dhe 2500 euro gjobë për vjedhjen nga e cila kishin arritur të marrin vetëm një çamçakëz, tre të akuzuarit, Edison Bislimi, Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti po kërkojnë ndryshimin e aktgjykimit të shkallës së parë apo anulimin e tërësishëm të tij dhe rigjykimin e rastit.


Ankesat e tyre ndaj vendimit të Themelores, të akuzuarit i kanë paraqitur në Gjykatën e Apelit, e cila bashkë me ankesën e ushtruar edhe nga ana e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, janë shqyrtuar të premten nga një kolegj i Apelit, në përbërje nga gjykatësit, Xhevdet Abazi, Abdullah Ahmeti dhe Vaton Dërguti.

Të tre të akuzuarit po akuzohen se më 12 dhe 14 mars 2018, në lagjen “Kalabria”, në Prishtinë, pas një planifikimi paraprak, duke i ndarë rolet dhe në bashkëkryerjeje, me qëllim të përfitimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme, kanë tentuar të kryejnë vjedhje, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Siç përshkruhet në aktakuzë, nga tentativa e tre të akuzuarve për të përvetësuar diçka nga ky lokal, kanë marrë vetëm një çamçakëz.

Lidhur me këtë akuzë, Gjykata Themelore në Prishtinë, më 5 mars të këtij viti, të akuzuarin Bislimi për veprën penale “vjedhje e rëndë”, e kishte dënuar me një vit e gjashtë muaj burgim dhe me 500 euro gjobë, për veprën penale “grabitje”, tre vjet e gjashtë muaj burgim dhe 500 euro gjobë, si dhe për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll apo posedim të paautorizuar të armëve”, me 500 euro gjobë.

Ndaj tij, ishte shqiptuar pastaj dënim unik prej katër vjet e 10 muaj burg si dhe 1,500 euro gjobë.

Të akuzuarat Ramqaj dhe Sahiti, për veprën penale “vjedhje e rëndë”, ishin liruar nga akuza në mungesë të provave, ndërsa ishin dënuar me nga tre vjet e gjashtë muaj burg dhe me nga 500 euro gjobë për veprën penale të grabitjes.

Në dënimin e shqiptuar të akuzuarve u është llogaritur edhe koha e kaluar në paraburgim dhe arrest shtëpiak nga 7 prilli 2018 e deri me 5 mars 2018, kur edhe ishte ndërprerë masa e arrestit shtëpiak ndaj tyre.

E lirimin nga akuzat për të akuzuarën Lumturije Ramqaj apo rigjykimin e rastit, e kërkoi nga kolegji i Apelit mbrojtësi i saj, avokati Faruk Binakaj.

Sipas mbrojtjes, shkalla e parë nuk ka arritur të vërtetojë drejtë dhe në mënyrë të plotë gjendjen faktike në këtë rast, për sa i përket të akuzuarës Ramqaj.

“Gjatë shqyrtimit gjyqësor, i cili ka qenë maratonik, i kam kërkuar prokurorisë vetëm një provë që vërteton planifikimin paraprak, cili është ky plan, pastaj thuhet në bashkëkryerje, unë hala nuk e di cili ka qenë roli i klientes sime, hala nuk e di, prokuroria nuk ka arrit ta dëshmojë”, tha avokati Binakaj në fjalën e tij para kolegjit të Apelit.

Binakaj tha se shkalla e parë ka vepruar drejtë kur e ka liruar të mbrojturën e tij nga vepra penale e vjedhjes së rëndë, por tha se ka vërejtje në ankesën e prokurorisë për këtë rast ku thuhet se “shkalla e parë nuk ka dhënë dënimet e merituara me gjobë dhe që i përgjigjen shkallës së përgjegjësisë si dhe kinse gjykimi nuk shpreh gjykimin shoqëror”.

Sipas Binakajt, për veprën për të cilën është liruar e mbrojtura e tij, nuk është arritur të vërtetohet përgjegjësia e saj, ndërsa shtoi se nuk është arritur as të vërtetohet nëse Ramqaj ka qenë në rolin e ndihmëses apo të kryesit kryesor.

Shprehja “gjykim shoqëror”, të cilën e ka cekur prokuroria në ankesën e saj, Binakaj tha se len një shije të hidhur pasi në këtë rast nuk është duke u gjykuar shoqëria por personi.

Sa i përket dëmit të shkaktuar, avokati tha se në këtë rast përfitim pasuror ka qenë vetëm një “Orbit” që ka vlerën 45 apo 50 cent, ndërsa për prokuroren që ka bërë ankesë, avokati tha se as nuk e ka lexuar lëndën, por vetëm e ka marr si shabllon ankesën.

“Fillimisht analizoni aktakuzën dhe pastaj vendimin dhe lëndën duhet ta ktheni në rigjykim apo që të lironi të mbrojturën tim”, përfundoi fjalën e tij, avokati Binakaj.

Lirimin nga akuzat apo rigjykim të rastit, ka kërkuar nga shkalla e dytë edhe mbrojtësi i të akuzuarës tjetër në këtë rast, Lirika Sahitit, avokati Asdren Bytyqi, i cili nuk ishte i pranishëm në seancë për ta elaboruar ankesën e tij.

“Mbes prapa fjalëve të avokatit tim”, tha shkurtë në fjalën e saj, e akuzuara Sahiti.

I pakënaqur me dënimin e shqiptuar ndaj të mbrojturit të tij, Edison Bislimi, ka mbetur edhe avokati Nasuf Hasani.

Sipas ankesës së Hasanit, aktgjykimi i shkallës së parë është i përfshirë me shkelje esenciale të dispozitave procedurale, vërtetim të gabuar të gjendjes faktike dhe shkelje të ligjit penal.

Siç thuhet në ankesën e tij, i akuzuari Bislimi e ka pranuar fajësinë prandaj edhe dënimi është dashur të jetë më i butë, pasi që edhe vepra penale ka mbetur në tentativë.

Krejt dëmi që është shkaktuar në këtë rast, sipas Hasanit, ka qenë një xham i thyer në njërin lokal dhe një çamçakëz i marr në lokalin tjetër, e që sipas ankesës, i akuzuari Bislimi i kishte bërë në gjendje të dehur.

E dënimin për veprën penale të vjedhjes së rëndë, përveç dënimit për grabitje, prokuroria ka kërkuar nga Apeli që t’i shqiptohet të akuzuarve, Ramqaj dhe Sahiti, kërkesë të cilën e ka mbështetur përmes një përmes parashtrese edhe Prokuroria e Apelit, e cila gjithashtu ka propozuar që të refuzohen ankesat e mbrojtësve së të akuzuarve.

Ndryshe, sipas prokurorisë, Bislimi, Ramqaj e Sahiti, më 12 mars 2018, rreth orës 03:40 në lagjen Kalabria në Prishtinë, në lokalin “Europhone”, pas një planifikimi paraprak duke i ndarë rolet në bashkëkryerjeje me qëllim të përfitimit kundërligjor dhe përvetësimit të pasurisë së huaj të luajtshme, kanë tentuar të kryejnë vjedhje.

Bislimi, me mjet të fortë e kishte thyer xhamin e derës kryesore dhe kishte hyrë brenda lokalit për të kryer vjedhje, por pasi ishte aktivizuar alarmi, i njëjti ishte larguar dhe nuk kishte arritur të marrë asgjë, kurse të pandehurat Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti kishin bërë roje jashtë lokalit.

Në bazë të aktakuzës, tre të pandehurit, së bashku edhe me personin N.N, i panjohur për prokurorinë, në të njëjtin lokal, por pas dy ditësh, pra më 14 mars 2018, rreth orës 16:20, pasi paraprakisht kishin planifikuar veprimet e tyre, duke i ndarë rolet, me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm dhe përvetësimit të pasurisë së huaj, ashtu që Ramqaj dhe Sahiti kishin hyrë brenda, derisa aty duke punuar kishte qenë e dëmtuara Besjana Sufaj.

Sipas prokurorisë, Sahiti me armë e kishte kërcënuar me fjalë dhe e kishte sulmuar fizikisht të dëmtuarën duke e kapur për flokë dhe duke e goditur me tytë të revoles në kokë, por e dëmtuara kishte arritur të aktivizojë alarmin me ç’rast të pandehurit me përjashtim të një çamçakëzi nuk kishin arritur të marrin asgjë tjetër dhe kishin ikur nga vendi i ngjarjes.

Siç pretendon prokuroria, derisa Sahiti e Ramqaj ishin brenda lokalit, jashtë tij, bënte roje e akuzuara Lirika Sahiti dhe personi N.N.

Sahiti, përpos këtyre dy veprave, ngarkohej edhe për armëmbajtje pa leje, por për prokurorinë, arma e përdorur nuk ishte e njohur.

Në seancën e 9 nëntorit 2018, prokurorja Ferdane Sylejmani, kishte bërë precizimin sa i përket kualifikimit juridik të veprave penale të përfshira në pikën 1 dhe 2 të dispozitivit të aktakuzës.

Për pikën 1, ku të akuzuarit akuzoheshin se kishin kryer veprën penale “vjedhjen e rëndë”, shtohet paragrafi 1 nën par 1,2 lidhur me nenin 28 dhe 31 të KPRK-së. Ajo e kishte bërë rikualifikimin edhe sa i përket pikës 2 të dispozitivit të aktakuzës, ashtu që për veprën penale “grabitja” shtohet paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 dhe lidhur me nenin 31 të KPRK-së, duke hequr nenin 28 të KPRK-së.

Pas këtij rikualifikimi, i akuzuari Edison Bislimi, e kishte pranuar fajësinë për veprën penale “vjedhje e rëndë e mbetur në tentativë”, ndërsa sa i përket veprave penale të inkriminuara nën pikën 2 dhe 3 të aktakuzës, ai ka deklaruar se nuk e ndien veten fajtor.

Ndërsa, të akuzuarat tjera Lumturije Ramqaj dhe Lirika Sahiti, ishin deklaruar të pafajshme për veprat penale që u viheshin në barrë.