×
  • Lajme
  • Lajme / Tri ditë nga rasti

    Të dyshuarit për vrasjen e policit Muhamed Lika ende në arrati

    Reporteri
    04 Prill 2025 | 14:29

    Tri ditë nga rasti, ende nuk është arrestuar ndonjë i dyshuar për vrasjen e policit Muhamed Lika, mbrëmjen e së martës në Kaçanik.

    Nga Policia e Kosovës, kanë thënë për gazetën online Reporteri.net se autorët ende nuk janë kapur.

    Rreshteri, Muhamed Lika u vra para banesës së tij mbrëmjen e 1 prillit teksa kishte përfunduar orarin e punës.

    Kryeprokurori i Ferizajt, Burim Çerkini, në një konferencë për media të mërkurën tha se të dyshuar për vrasjen e policit janë dy persona, të cilët s’janë identifikuar ende.

    Nga pamjet e siguruara, Çerkini tha se vetëm shihet se personat në fjalë janë të rinj.

    “Nga provat që janë mbledhë shihen dy persona që kanë ikur nga vendi i ngjarjes, nga ajo që shihet kanë ikur në këmbë nga vendi i ngjarjes. Nuk kemi të dhëna që kanë shfrytëzuar më vonë ndonjë veturë apo mjet tjetër për të ikur”, tha Çerkini në një konferencë për media, një ditë pas rastit.

    Ai gjithashtu tha të dyshuarit nuk kanë qenë të maskuar, por se kanë pasur kapele në kokë. Motivi nuk dihet ende.

    “Rreshteri Lika është njohur si shumë profesional dhe nuk kemi as më të voglin indikacion që gjatë punës së tij si zyrtar policor të ketë pasë ndonjë problem as si zyrtar policor dhe as personal që do të na zbardhte motivin e vrasjes. E kemi ende të padefinuar shkakun apo motivin. Është përdorë armë e zjarrit, në vendin e ngjarjes janë gjetur gëzhoja 9.19 milimetra. Nuk është hasur arma e dorasëve në vendin e ngjarjes. Është gjetur arma e zyrtarit policor, si dhe pjesë e municionit të personit zyrtar. Tipi i armës të të dyshuarve nuk dihet. Kalibrin 9.19 milimetra e shfrytëzojnë për disa armë, kështu që nuk mund të japim detaje për kalibrin”, tha Çerkini në konferencën për media.

    Ditëve të fundit, numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar rritje. Në fund të marsit u regjistruan katër vrasje. /Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!