×
  • Lajme
  • Lajme

    Të gjithë njerëzit e Kurtit nëpër borde

    Reporteri
    03 Prill 2020 | 12:04

    “Do të ketë depolitizim të anëtarëve të bordeve dhe agjencioneve dhe ndërmarrjeve publike”, thuhej në një dokument para fushatës, ku tash kryeministri në detyrë Albin Kurti, zotohej për qeverisje të mirë.


    Mirëpo, ditët e fundit e sidomos mbrëmë, ky zotim nuk u përfill dhe aq shumë, pasi njerëz të VV-së “pushtuan” bordet e ndërmarrjeve publike, shkruan Reporteri.net.

    Deri tani kemi katër persona që edhe zyrtarisht janë pjesë të VV-së, e madje edhe një kandidatë për deputetë në zgjedhjet e fundit. Kujtim Shala, Mirsad Shkreta, Mentor Hyseni dhe Artan Dermaku u rehatuan në borde.

    I pari emërim politik ishte ai i ish-kandidatit për deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje në vitin 2017-të, Kujtim Shala. Ai u zgjodh drejtor në Bordin e Përkohshëm të Ndërmarrjes “Posta e Kosovës”.

    Më pas, Mirsad Shkreta u emërua në bordin e SHSKUK, Mentor Hyseni në bordin e KRU “Prishtina” dhe Artan Dermaku zuri vend në bordin e INFRAKOS.

    Këtë gjë u mundua ta relativizojë ministrja në detyrë, Rozeta Hajdari, e cila tha se këta njerëz “nuk vjedhin”.

    “Mentor Hyseni e Artan Dërmaku njëmend janë anëtarësuar së voni në LVV por ata janë profesionistë të sprovuar të Kosovës e jo militantë partie politike. Janë njerëz që ju beson Qeveria dhe që nuk vjedhin”, tha ministrja Hajdari.

    Mirëpo, këtë gjë e kritikuan ashpër opozita por edhe njohës të zhvillimeve politike në vend. Një ndër ta ishte edhe kritiku i madh i cdo qeverie, Imer Mushkolaj. Ai tha se me këto emërime nuk ckapet shteti.

    “Emërimet politike nga qeveria Kurti në bordet e ndërmarrjeve publike i takojnë modelit, të cilin qytetarët e kanë ndëshkuar më 6 tetor. Kështu nuk çkapet shteti. Ata që iu duartrokasin këtyre veprimeve veç ia bëjnë një argat kapjes së shtetit”, ka thënë Mushkolaj.

    Por, emërimet politke në borde nuk ndalen këtu. Edhe ministrja Emilia Recepi kishte deleguar një ish-kandidat për deputet nga partia e saj për në bordin e ri të Ujësjellësit. Seat Bilibani ishte kandidat për deputet në vitin 2017, nga rradhët e partisë së ministres aktuale të Administrimit të Pushtetit Lokal.

    Recepi e kishte pranuar emërimin dhe kishte thënë se “ka dashur t’i ndihmojë”./Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!