Pas paralajmërimeve të kryeministrit Kurti për heqjen e pjesërishme të taksës ndaj mallrave serbe dhe atyre boshnjake, opozita në krye me AAK-në ka arritur të mbledhë 40 nënshkrime për thirrjen e seancës të jashtëzakonshme.
Kryesia e Kuvendit në mbledhjen e sotme ka marrë vendim që kjo seancë të mbahet të hënën, me fillim nga ora 11:00, shkruan Reporteri.net.
Daut Haradinaj nga AAK pas mbledhjes së Kryesisë ka thënë se në seancë do ta thonë fjalën e fundit rreth paralajmërimit të Kurtit për heqjen e taksës, mirëpo ai ka përsëritur se AAK do të përdorë të gjitha mjetet demokratike për të kundërshtuar këtë vendim, duke mos përjashtuar as protestat.
“Sapo u dakorduam që seanca e jashtëzakonshme të hënën në ora 11:00. I kemi 41 nënshkrime. Në seancë do ta themi fjalën e fundit rreth tendencës së ekzekutivit për rikthimin e Serbisë në Kosovë. Ne e kemi thënë që jemi kundër heqjes së takës nëse Serbia vazhdon me avazin e vjetër, Serbia nuk ka ndryshuar qasje ndaj Kosovës. Si duket nuk ka pasur koordinim me LDK-në ne do ta kundërshtojmë me të gjitha mjetet demokratike”, ka thënë Haradinaj. /Reporteri.net