×
  • Lajme
  • Lajme

    Banorët e Mleçanit të Malishevës paralajmërojnë protesta, shkak telat e rrymës

    Reporteri
    05 Maj 2019 | 20:34

    Brahim Gashi nga Mleçani i Malishevës, hyrje-daljen në shtëpinë e tij e ka të rrezikuar.


    Kjo, shkaku i telave të energjisë elektrike të tensionit të lartë që janë të vendosur në oborrin e tij në një shtyllë elektrike krejt të vjetër, e cila është afër rrëzimit.

    Frika më e madhe për familjen e tij është kur erërat janë të forta, të cilat shpeshherë ka ndodhur t’i këpusin telat e energjisë, raporton KTV.

    Të rrezikuara ndihen edhe shumë familje të tjera në lagje të ndryshme të këtij fshati, të cilat thonë se vetë është dashur të intervenojnë sa herë ka pasur këputje të telave.

    Ferat Kryeziu thotë se KEDS-i është interesuar vetëm t’i inkasojë mjetet nga pagesa e tyre e energjisë, ndërsa investimet në rrjetin elektrik i ka zero.

    Kryetari i fshatit, Ismet Kryeziu ka vendosur që bashkë me banorët tjerë, KEDS-it të mos ia bëjnë pagesën dhe të dalin të protestojnë nëse ky i fundit nuk intervenon.

    Ai thotë se, pavarësisht kërkesave të shumta në KEDS për rregullimin e gjithë sistemit të rrjetit elektrik, deri më tash nuk është ndërmarrë asgjë.

    Por, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, në një përgjigje me shkrim, ka thënë se elektricistët e kësaj kompanie nuk janë në dijeni për këtë problem.

    “ KEDS-i, sa herë që njoftohet për dëmet e mundshme në sistemin e rrjetit të energjisë elektrike, intervenon. Njësoj do të veprojmë edhe në këtë fshat, ku do të shikojmë se ku është problemi”, ka thënë Buzhala.

    Sipas Buzhalës, kompania e distribucionit të energjisë elektrike, KEDS, në vazhdimësi është duke investuar në rrjetin e energjisë elektrike në gjithë vendin.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!