×
  • Lajme
  • Lajme

    Tensionet në Veri dhe kërcënimet serbe për dërgimin e ushtrisë në Kosovë, deklarohet shefi i NATO-s

    Reporteri
    13 Dhjetor 2022 | 10:27

    Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka bërë thirrje për uljen e tensioneve në veri të Kosovës.

    Ai i pyetur për deklaratën e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq se do t’i drejtohen Komandantit të KFOR-it për kthimin e 1 mijë trupave serbe në Kosovë, duke u thirrur në Rezolutën 12/44, ka thënë se palët duhet të përmbahen nga deklaratat që kontribuojnë në përshkallëzimin e konfliktit dhe të kontribuojnë në uljen e tensioneve, shkruan Reporteri.net.

    “NATO është shumë e fokusuar në çështjen e Kosovës, si dhe në Ballkanin Perëndimor. Ne kemi një histori të gjatë, kemi ndihmuar për t’i dhënë fund dy luftërave etnike, fillimisht në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe më vonë në Kosovë. Forcat tona janë ende të pranishme atje përmes Forcat e NATO-s, gjegjësisht KFOR-i i cili ka gati 4000 anëtarë dhe është faktor kyç në stabilizimin e rajonit dhe situatës”, tha Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s.

    Forcat tona janë të gatshme, të afta dhe ‘vigjilente’. Ata po monitorojnë situatën me shumë kujdes. Forcat e NATO-s dhe BE-së bashkëpunojnë ngushtë. Këshilla ime për të gjitha palët është që të përmbahen nga retorika që kontribuon në përshkallëzimin e konfliktit dhe të ndihmojnë në uljen e tensionet”, tha ai në France 24.

    Pjesa veriore e Kosovës vazhdon të mbetet e bllokuar, katër ditë pas vendosjes së barrikadave nga serbët në shenjë proteste për arrestimin e ish-policit Dejan Pantiq.

    Që nga e shtuna kur u vendosën barrikadat në Rudarë, ato vazhdojnë të jenë aty përkundër thirrjeve të ndërkombëtarëve që ato të hiqen. Pikat kufitare në Jarinjë e Bërnjak janë mbyllur, ndërkaq shkollat vazhdojnë të jenë të mbyllura. /Reporteri.net

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!