Anton Quni sot dha dorëheqje nga detyra e kryetarit të LDK-së, Dega në Prizren.
Quni thotë se do të vazhdoj të mbetet dhe angazhohet si anëtar i Kryesisë së Degës, Nënkryetar i LDK-së në qendër dhe deputet i GP të LDK-së.
Ndërsa shton se dorëheqja e tij mundësohet një riorganizim më i mirë i LDK-së në Prizren.
“Të qenit kryetar i degës ishte privilegj dhe përvojë e mirë, por jam i bindur se me dorëheqjen time po mundësohet një riorganizim më i mirë i LDK-së në Prizren, nëndegëve dhe forumeve, me të cilin do të krijohen parakushtet për afirmimin e të rinjve te Prizrenit, ruajtjen e bërthamës por edhe hapjen e dyerve për më shumë njerëz e kuadro që do ta forcojnë LDK-në dhe do ta bëjnë konkurrente serioze për ciklin e ri zgjedhor”, ka deklaruar Quni.
Quni ishte zgjedhur në krye të degës së LDK-së në Prizren më 28 qershor të vitit 2019, ku kundër kandidat i tij ishte Driton Selmanaj. Të pranishëm në Kuvendin Zgjedhor kanë qenë 99 delegatë, ku 54 vota i ka siguruar Anton Quni; ndërsa Driton Selmanaj ka arritur t’i marrë 45 vota gjithsej.
Quni sot u dorëhoq nga të qenit prijës i LDK-së në Prizren, por duhet kujtuar se po këtë vit ishte tërhequr nga gara për kryetar të LDK-së.
Quni para gazetarëve kishte thënë se tërheqja e tij ka ndodhur për t’i ndihmuar procesit zgjedhor, shkruan Reporteri.net.
“Unë i kam ndihmu procesit, me qenë sa më demokratik dhe lideri i ardhshëm i LDK-së me u zgjedh përmes procesit demokratik”, kishte deklaruar Quni, ku më pas Lumir Abdixhiku mori drejtimin e partisë pasi kishte mposhtur Lutfi Hazirin e Besian Mustafën, që paoshtu synonin të bëheshin kryetar të partisë.
Pasi Abdixhiku mori drejtimin e partisë, Quni në 14 korrik të 2021 u zgjodh të jetë kandidati i LDK-së për kryetar të Prizrenit për zgjedhjet lokale të tetorit.
Në prezantimin e kandidaturës së Qunit për kryetar të Prizrenit, kreu i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se “Quni do t’i japë Prizrenit gjithçka që një qytet kaq i bukur meriton”.
Por Quni dështoi në zgjedhjet lokale pasi lëre që nuk u zgjedh kryetar i Prizrenit, por ai u rendi i treti, pas Shaqir Totajt që u zgjedh kryetar i Prizrenit dhe Mytaher Haskukës që doli i dyti. /Reporteri.net/.