Presidenti Hashim Thaçi dhe kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, në vitet e fundit janë përplasur jo pak me njëri-tjetrin. Shkëmbimi i territorit, taksa ndaj produkteve të Serbisë dhe cili prej tyre e ka mik serbin Milan Radojiçiq (që tani ka fletarrest ndaj tij nga institucionet e Kosovës si i dyshuar në pjesëmarrjen e vrasjes së politikanit serb të veriut, Oliver Ivanoviç ) kanë qenë “mollë sherri” mes dy krerëve të vendit.
Se raportet nuk i ka të mira me Thaçin dhe nuk takohet me të “kokë më kokë”, kryeministri në detyrë Haradinaj kishte deklaruar pak para zgjedhjeve kur kishte deklaruar se nuk flet me presidentin.
“Ka një kohë që kemi raporte të ftohura. Nuk kemi komuniki. Është një kohë bukur e gjatë që s’na ka rënë me komuniku me Presidentin Thaçi, me pas biseda e takime”, kishte deklaruar Haradinaj.
Por këto raporte janë relaksuar siç duket ditëve të fundit dhe dy krerët e vendit kanë kthyer komunikimin mes tyre.
Në ndejën e organizuar nga Ipeshkiva e Kosovës të martën mbrëma për krishtlindje, Thaçi e Haradinaj kanë qenë të pandashëm dhe në humor të mirë me njëri-tjetrin, shkruan Reporteri.net.
Ata thuajse për asnjë moment gjatë kësaj ceremonie nuk ndahen, dhe kur mediat shkojnë të marrin prononcim prej tyre, Thaçi i jep përparësi Hardinajt të flasë dhe vet nuk prononcohet fare.
Përplasjet më të ashpra mes Thaçit e Haradinajt
“Luftën” më të madhe e kanë pasur për temën e shkëmbimit të territoreve. Hardinaj kishte thënë se shkëmbimi i territoreve sjell luftë dhe tragjedi në Ballkan, ndërsa Thaçi kishte reaguar duke thënë se “thirrjet për luftë dhe tragjedi të reja në Ballkan i takojnë mentalitetit të shekullit të kaluar dhe si të tilla, meritojnë vetëm të hidhen në shportë”.
Ata ishin përplasur edhe për Milan Radojiçiqin i cili po kërkohet nga institucionet e Kosovës si i dyshuar në përfshirjen e vrasjes së Oliver Ivanoviçit.
Haradinaj kishte deklaruar se “Thaçi takohet me njerëz ia ai [Milan Radojiçiq) edhe në Prishtinë edhe në Bruksel”, por presidenti e ka mohuar kategorikisht këtë duke thënë se se për dallim nga politikanë të tjerë kurrë nuk i ka shkuar në shtëpi e as kurrë nuk e ka pritur.
Kurse përplasje kishin edhe për taksën, ku në një moment kishin ironizuar jo pak me njëri-tjetrin.
“Bora do të shkrihet dikur”, kishte deklaruar Haradinaj kur ishte pyetur se cili është qëndrimi i qeverisë pas presioneve të SHBA-së e BE-së për heqjen e taksës për mallrat që hyjnë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.
Pas kësaj deklarate Thaçi ishte tallur keq me Haradinajn duke i thënë se “Bora ka zënë të shkrihet shpejt…Uroj të mos bëhet skllotë!”. /Reporteri.net/.