×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi godet Haradinajn nga Tirana: Kosovës i duhet qeveri që punon më mirë, jo që jep deklarata patriotike

    Reporteri
    08 Maj 2019 | 19:36

    Presidenti Hashim Thaçi nga Tirana ka goditur kryeministrin Ramush Haradinaj pas deklaratave të bëra nga ky i fundit se “ekziston një dyshim i bazuar që zoti Vuqiq, zoti Thaçi dhe zoti Rama kanë pasur diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës”.


    Thaçi gjatë një prononcimi për media ka thënë se Kosovës i duhet një qeveri që punon për mirëqenie të qytetarëve e jo që bën deklarata patriotike.

    “Kosovës i duhet një Qeveri që punon më mirë për mirëqenien sociale, dhe jo që jep deklarata patriotike”, ka thënë Thaçi në Tiranë.

    Thaçi ndërkohë ka treguar se sot ka takuar përfaqësuesen e BE-së Frederica Mogherinin me të cilën thotë se ka folur për vizat, duke shtuar se ka tendenca që Kosovës t’i vihen kushte shterë për liberalizim të vizave.

    “I kam thënë se liberalizimi i vizave duhet të ndodhë. Tendenca për ti vënë kushte shtese Kosovës është poshtërim për Kosovën”, është shprehur Thaçi.

    Thaçi ka folur edhe për taksën ndaj produkteve serbe duke shtuar se ajo është e drejtë.
    “Taksa është e drejtë. Fajtor për ngecjen e dialogut janë ata qe po e kushtëzojnë dialogun në këtë rast Serbia”, ka pohuar Thaçi.

    Kujtojmë se Haradinajt i reagoi ashpër dhe me një gjuhë të rëndë edhe kryeministri Edi Rama i cili duke aluduar në Haradinajn tha se ‘Budallain sa pa dalë Facebook e njihte vetëm shtëpia e vet’ dhe ‘nëse do që gënjeshtrën tënde ta besojnë bëje të pabesueshme’.

    Këto reagime të ashpra të Thaçit e Ramës vijnë pas deklaratës së mëposhtme që bëri sot Haradinaj në një tryezë të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës me temën “Dialogu Kosovë – Serbi pas Samitit të Berlinit.

    “Ekziston një dyshim i bazuar që zoti Vuqiq, zoti Thaçi dhe zoti Rama kanë pasur diskutime lidhur me ndarjen e Kosovës, ekziston ky dyshim i bazuar nuk mund ta konfirmoj, por ekziston ky dyshim i bazuar se kjo është bërë nën udhëheqjen e zonjës Mogherini, shpresoj që tani ata do t’i kërkojnë falje njëri-tjetrit për kohën që ia kanë humbur vetes dhe popujve të vet, edhe BE-së, taksa paguesve të BE-së ja kanë humb mbi një vjet kohë dhe i kanë shkaktuar humbje investimit të BE-së për më shumë Evropë. Fatmirësisht që ndodhi marrëveshja Greqi – Maqedoni e Veriut, se ndryshe Evropa do të ishte shumë humbëse në investimin e vet, kjo ka mund të shkojë edhe më keq”, tha Haradinaj në këtë tryezë.

    Kujtojmë se në Tiranë me ftesë të presidentit Ilir Meta nesër dhe pasnesër do të mbahet samiti i Brdo-Brijunit, që zhvillohet nga viti 2010 në secilën prej shteteve anëtare. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!