×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi i gatshëm për takim, Kurti e “injoron” sërish

    Reporteri
    13 Mars 2020 | 12:36

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka shprehur gatishmërinë që sot ta takojë kryeministrin Albin Kurti për koordinim të interesit shtetëror. Por Kurti, sipas agjendës që ka nisur Zyra e tij, nuk e ka paraparë një takim me të parin e vendit.


    Thaçi ka disa ditë që kërkon takim me Kurtin.

    Pas ftesës së fundit nga Thaçi më 11 mars, Kurti ka njoftuar se këtë të premte pasdite do të jetë i lirë, por se a do të ketë takim ende nuk dihet.

    Zyra e Presidentit në një përgjigje për Kohën ka thënë se presidenti ka gatishmëri të takohet sot, por se ende nuk ka takim të konfirmuar nga kryeministri Kurti.

    “Presidenti ka gatishmëri për ta takuar edhe sot, por nuk ka ende takim të konfirmuar”, kanë thënë nga Zyra e Presidentit.

    Ndërkaq kryeministri nuk e ka futur në agjendë për sot takimin me Thaçin.

    Në komunikatën dërguar mediave, njoftohet se Kurti të planifikuar ka vetëm një takim, atë të Komisionit të posaçëm për parandalimin e koronavirusit, i cili do të udhëhiqet nga vetë ai.

    Shkëmbimin e ftesave për njëri-tjetrin e kanë filluar herët. Kurti e kishte ftuar Thaçin njëherë më 13 shkurt, e pastaj më 3 mars, por se përgjigje pozitive nuk kishte në asnjërën ftesë.

    E me përgjigje negative është përballur edhe Thaçi kur e ftoi Kurtin më 9 mars në cilësinë e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje. Kurti refuzoi ftesën e Thaçit për takim duke thënë se nuk e takon presidentin si kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, por vetëm si kryeministër.

    “Kur kuptova agjendën se kishte caktuar takime me liderë partish, atëherë thash le t’i mbajë një herë ato takime me liderë partish dhe takohemi si krerë të institucioneve. Pra, unë jam për takim e për bashkëpunim, por jo në atë ditë dhe jo ashtu”, kishte thënë Kurti.

    Në një konferencë të mbajtur pas takimeve me krerët e partive parlamentare, Thaçi tha se Kurti e kishte konfirmuar pjesëmarrjen tri ditë më herët, por se nuk u paraqit ditën kur u mbajtën takimet. Ai tutje ka shtuar se do ta takojë kur do që është e nevojshme.

    Presidenti nga kryeministri është refuzuar edhe më 11 mars, në ditën kur ia kishte ofruar tri orare si mundësi: 10:00, 11:00 dhe 12:00.

    Pas zgjedhjeve të 6 tetorit 2019, Thaçi e Kurti janë takuar vetëm njëherë, më 6 janar për t’u marrë vesh për mandatarin e Qeverisë.

    Takimi nuk kishte zgjatur më shumë se 4 minuta.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!