×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: Pres sivjet të arrihet marrëveshje me Serbinë, nëse jo do të humbim një dekadë

    Reporteri
    02 Maj 2019 | 19:22

    Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, pret që Kosova dhe Serbia sivjet të arrijnë marrëveshje, në të kundërtën thotë se do të do të humbet një dekadë.


    Ndërsa ka folur për Samitin e Berlinit ku nuk u arritë asnjë rezultat thotë se  është treguar edhe njëherë se sa e dobët është Evropa dhe se sa jo unik është Bashkimi Evropian dhe çfarë paqartësie kanë mes veti liderët e vendeve përkatëse.

    “Ishte një vullnet i mirë i kancelares Merkel, por jo rezultativ”, ka deklaruar Thaçi për Samitin e Berlinit.

    Thaçi ndërkaq shprehet optimist se në Samitin e Parisit që do të mbahet më 1 korrik, do të ket një qartësi dhe një dinamikë të re të angazhimeve për gjetjen e një mundësie për përmbylljen e dialogut mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, të një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht obliguese, që mbyllen të gjitha çështjet e hapura me mes shtetit të Kosovës dhe Serbisë, dhe që rezulton me njohje reciproke.

    Ai thotë se vazhdimin e dialogut mes dy vendeve e sheh si dinamikë të re në kuadër të kornizave të udhëheqjes së Bashkimit Evropian dhe zonjës (Federica) Mogherini, por tash me prezencën edhe të kancelares (Angela)Merkel dhe presidentit (Emmanuel) Macron.

    “Shoh një koncept dhe vizion interesant dhe kreativ nga presidenti Macron, dhe prandaj besoj që do të ketë edhe një konsultim shtesë të vendeve të Kuintit, mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Britanisë, Gjermanisë, Francës dhe Italisë, në mënyrë që të jenë unike në pozicion e tyre, karshi dialogut Kosovë-Serbi, në mënyrë që të reflektojë ky unitet edhe në shoqëri, edhe në skenën politike në Kosovë, por edhe në Serbi dhe të kemi një marrëveshje të pranueshme për palët, por edhe të zbatueshme në terren”, ka deklaruar Thaçi në një intervistë për Radio Evropa e Lirë, transmeton Reporteri.

    “Roli i SHBA-ve në arritjen e marrëveshjes i pazëvendësueshëm”

    Presidenti më tej thotë se roli i SHBA-së edhe në procesin aktual, atë të dialogut Kosovë-Serbi është i pazëvendësueshëm dhe nuk mund të arrihet një marrëveshje pa rolin dinamik dhe udhëheqës të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    “E them këtë, për arsye se presidenti (Donald) Trump, ka qenë shumë i qartë në mesazhet e tij dhe formula e gjetjes së zgjidhjes për marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi, është në substancën dhe kornizën e letrave të presidentin Trump”, thotë ai.

    “Jo sovranitet të dyfishtë për Kosovën”

    Ndërsa për idenë e korrigjimit të kufijve, Thaçi shprehet se ai gjithmonë ka qenë kundër dhe do të vazhdon të jetë pasi është pazar dhe një gjë të tillë nuk do ta lejon që të ndodhë, por është në favor të korrigjimit të padrejtësive historike në rastin e shqiptarëve në Preshevë, Medvegjë dhe Bujanoc.

    “Presheva, Medvegja dhe Bujanoci, mund dhe do të luftoj që të jenë pjesë e territorit të Republikës së Kosovës, me territorin aktual të shtetit të Kosovës, duke mos e cenuar asnjë centimetër të territorit të shtetit të Kosovës, por në të njëjtën kohë, kam theksuar edhe në Berlin se nuk do të lejojmë asnjë ide për ndonjë sovranitet të dyfishtë për Kosovën, apo ndonjë ide për ndonjë Asociacion me elemente ekzekutive të modelit të Republikës Serbe, sepse kjo nënkupton ndarje të Kosovës, sikundër që nuk do të lejojmë ndonjë model gjermano-gjerman”, thotë ai.

    “S’ka pasur presion në Berlin për heqjen e taksës”

    Ai ka thënë se është gënjeshtër e kulluar nga kushdo që e ka prezantuar se ai kaqenë kundër vendosjes së taksës për produktet serbe dhe atyre nga Bosnja e Hercegovina.

    “Merrni deklaratat e mija, një nga një, nga dita e parë, nga momenti që është propozuar nga zoti (Enver) Hoxhaj për 10 për qind, e kam mbështetur dhe në momentin që është propozuar nga kryeparlamentari (Kadri) Veseli në 100 për qind, e kam mbështetur. Taksa është vendim legjitim dhe i drejtë dhe do të mbetet. Për gjëra të tjera, ka deklarime të tjera, është gënjeshtar dhe mashtrues”, thotë më tej Thaçi

    “Asnjë presion nuk kam pasur në Berlin, asnjë takim për heqjen e taksës. Të gjitha kanë qenë improvizime, aktruese për poenë politikë. Askush nuk ka pasur ndonjë presion”, ka deklaruar Thaçi.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!