×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi: Zhgënjyese konkluzionet e BE’së, prisnim reflektim pozitiv për vizat, jemi në situatë të rëndë

    Reporteri
    19 Qershor 2019 | 13:32

    Presidenti Hashim Thaçi ka shprehur zhgënijm me konkluzionet e Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian, rreth Kosovës, duke thënë se është e padrejtë që Kosova të vazhdojë të mbetet e izoluar për shkak të turbulencave në BE.


    “Me shqetësim i kam lexuar konkluzionet zhgënjyese të Këshillit për Çështje të Përgjithshme të Bashkimit Evropian. Shihet qartë që turbulencat e brendshme e kanë turbulluar vizionin e BE-së, e cila nuk po arrin të tejkalojë instinktin proteksionist dhe neglizhencës ndaj tërë rajonit, e posaçërisht Kosovës”.

    Presidenti ka thënë se Kosova nuk ka kurrëfar faji për problemet që BE i ka brenda saj.

    “Ne nuk jemi fajtorë për problemet e brendshme të BE-së, dhe as që paraqesim asnjë rrezik për BE-në. Prandaj, ne nuk do të mund të cilësohemi si fajtorë për zvogëlimin e rolit të BE-së në rajon dhe në Kosovë për shkak të dështimeve të vazhdueshme të saj”.

    Kosova sipas presidentit, për dallim nga vendet fqinje, ka pritur diçka krejtë minimale, dhe as kjo nuk i është dhënë.

    “Përderisa shtete fqinje, si Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, kanë pritur lajme substanciale në rrugën e tyre për anëtarësim në BE, ne kemi pritur diçka krejt minimale. Ne kemi pritur vetëm një reflektim pozitiv sa i përket fundit të izolimit të padrejtë të popullit të Kosovës”.

    Presidenti ka akuzuar BE’në se po e trajton ndryshe Kosovën me vendet tjera, dhe për këtë ka ftuar liderët institucional dhe ata të partive politike të reflektojnë për situatën e rëndë që po kalon vendi.

    “Fatkeqësisht, BE-ja është duke e trajtuar Kosovën ndryshe krahasuar me vendet e tjera, dhe kjo padrejtësi nuk kalon pa u vërejtur. Por, nuk kalon pa u vërejtur as mungesa e një përkushtimi konstruktiv i institucioneve tona shtetërore për koordinimin e veprimeve strategjike në interes të vendit”.

    “Unë ftoj liderët institucionalë dhe ata të partive politike parlamentare që të reflektojnë për situatën e rëndë në të cilën ndodhet vendi ynë në raport me realizimin e perspektivës tonë për anëtarësim në BE dhe NATO. Izolimi dhe stagnimi duhet të marrin fund. Qytetarët e Republikës së Kosovës e meritojnë zhvillimin dhe integrimin e Kosovës në strukturat euroatlantike”, ka thënë Thaçi. /reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!