×
  • Lajme
  • Lajme

    Thirrja e ShBA-së që ta pranojë propozimin e BE-së, Kurti ende asnjë detaj për bisedën me Cholletin

    Reporteri
    25 Janar 2023 | 14:22

    Këshilltari i Departamentit amerikan të Shtetit, Derek Chollet, gjatë ditës së djeshme i bëri thirrje Kosovës që të pranojë propozimin evropian që u bë i njohur si nisma franko-gjermane për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë.

    Kjo u bë në një telefonatë që ai zhvilloi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin.

    Kryeministri Kurti deri më tani nuk ka dhënë detaje rreth kësaj telefonate që dje ka pasur me zyrtarin e lartë amerikan, shkruan Reporteri.net.

    Po ashtu në mbledhjen e sotme të Qeverisë, Kurti nuk tha asgjë për çështjen e dialogut me Serbinë, përkundër presionit të shtuar së fundi për pranimin e planit franko-gjerman dhe themelimin e Asociacionit.

    Në një postim në rrjetin Twitter, Chollet mbrëmë tha se bisedoi me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe diskutoi “për propozimin e BE-së për normalizimin e marrëdhënieve me Serbinë dhe për t’i kërkuar Kosovës ta pranojë atë. Një çështje thelbësore ishte bashkëpunimi ynë dhe synimi i përbashkët në avancimin e Kosovës drejt integrimit evropian dhe euroatlantik”, shkroi ai.

    “Ne diskutuam gjithashtu rëndësinë e karakterit shumetnik të Kosovës dhe ecjen përpara me diskutimet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në kontekstin e dialogut dhe nevojën që zyrtarët serbë të Kosovës të kthehen në vendet e tyre të punës”, shtoi zoti Chollet.

    Kur është fjala për propozimin/planin e Bashkimit Evropian për dialogun, presidenti serb Aleksandar Vuçiq tashmë ka thënë se Serbia është e gatshme ta pranojë konceptin dhe është duke punuar në zbatimin e asaj marrëveshjeje.

    Nga ana tjetër, diplomatët perëndimorë që kanë vizituar së fundmi Prishtinën dhe Beogradin, kanë kërkuar nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, siç e kanë formuluar ata, mirëkuptim më të madh për këtë propozim.

    Ambasada amerikane në Prishtinë gjatë ditës së djeshme ka konfirmuar se më 31 janar do të jetë nikoqire e një diskutimi për Asociacionin e komunave me shumicë serbe në Kosovë.

    “Ne jemi duke ftuar një grup divers të liderëve të shoqërisë civile, zyrtarëve qeveritarë, liderëve politikë dhe diplomatëve, për të diskutuar këtë çështje me rëndësi”, u tha në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë.

    Gjatë javës së kaluar pas vizitave në Kosovë e Serbi, emisari amerikan, Gabriel Escobar  deklaroi se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të arrihet përmes partnerëve, dhe se një person [Kurti] nuk mund ta shmang këtë obligim ligjor.

    “Shikoni, një person dhe një palë nuk mund të shmangë një detyrim ligjor ndërkombëtar. Ky është fakt. Ne do ta bëjmë këtë dhe unë do ta bëj këtë duke gjetur partnerë dhe ka shumë partnerë, ka shumë njerëz që duan të shohin marrëdhënie më të mira të serbëve në veri dhe pjesës tjetër të vendit”, tha ai në një intervistë për Zërin e Amerikës.

    Ai theksoi se qëllimi i Asociacionit është që veriu i Kosovës të bëhet më funksional.

    Emisari amerikan shtoi se bashkësia ndërkombëtare kërkon që kjo të bëhet, dhe se po pret që edhe Kurti ta ketë të qartë këtë.

    “Ne do të fillojmë këtë muaj të flasim me njerëzit që kanë ide shumë të mira dhe ne në fakt flasim për madhësinë e klasave në shkolla, mbledhjen e mbeturinave, apo shërbimet e ndihmës mjekësore, asgjë frikësuese. Ne flasim se si ta bëjmë veriun e Kosovës më funksional dhe më të lidhur me qeverinë në Prishtinë. Ne do ta bëjmë këtë. Çështja është se në ç’pikë Kosova do ta ketë të qartë se bashkësia ndërkombëtare e pret që ta bëjë këtë, kërkon që ta bëjë këtë”, tha tutje Escobar. /Reporteri.net/

     

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!