×
  • Lajme
  • Lajme

    Thotë se deklarata e tij për Kosovën u keqkuptua, presidenti kroat: Serbia do ta kuptojë se është një dashnore e mashtruar

    Reporteri
    01 Shkurt 2023 | 14:00

    Presidenti kroat, Zoran Milanoviq ka thënë se deklarata e tij për “ankesimin e Kosovës nga Serbia” mund të jetë keqkuptuar.

    Të mërkurën, në një konferencë për media në Zagreb, ai ka thënë se Kosova njihet ndërkombëtarisht dhe se Serbia duhet ta njohë pavarësinë e saj.

    Lidhur me reagimet në Serbi ndaj kësaj deklarate të tij, Millanoviq ka thënë se tabloidët serbë nuk duhet të entuziazmohen nga qëndrimi i tij.

    “Nuk jam dëgjuar me Vuçiqin. Është mirë që tani e ka kuptuar se fillimisht duhej ta studiojë deklaratën time. Sepse është e qartë se nuk ka reaguar në atë të parën. Mesazhi im për ekipin në Serbi… Tugjmani ka thënë se Kosova është çështje e brendshme e Serbisë. Ka kohë që ajo nuk është më çështje e brendshme e Serbisë. Prandaj u them tabloidëve serbë “pa entuziazëm, ju lutem””.

    “Dua që Serbia të shohë perspektivën e saj perëndimore. Serbia ka mbetur pa Kosovën. Ka mbetur pa të në luftë. Kosova është njohur. Unë shkoj përreth duke u thënë të tjerëve ta njohin Kosovën. Që Serbia të vijë në Perëndim, disa gjëra duhet të ndryshojnë. Serbia do ta kuptojë se është një dashnore e mashtruar. Rusia po përpiqet diçka me Ukrainën dhe do të duhet ta njohë Kosovën. Serbia po i pengon Rusisë. Serbia do të duhet që disi ta njohë Kosovën dhe kjo nuk do t’i pëlqejë. Plani i Amerikës për Kosovën është i mirë. Unë do të doja që këtë ta bënte Brukseli, por ata nuk janë në gjendje”, ka thënë Millanoviq.

    Tri ditë më parë, Millanoviq tronditi opinionin publik pas një deklarate për Kosovën dhe Serbinë. Ai tha se Kosova ishte grabitur nga Serbia.

    “Serbia dhe Rusia nuk janë njësoj. Ky është fatkeqësisht një fakt i dhimbshëm dhe i rrezikshëm. Ne e aneksuam Kosovën. Ne bashkë me bashkësinë ndërkombëtare. Ajo u mor nga Serbia. Kush e bëri këtë përveç nesh? A e njohëm ne Kosovën? Nuk është aneksim, por rrëmbim. Këtu nuk bëhet fjalë për Kosovën, por për gjithë konceptin në të cilin dikush mendon se ka të drejtë. Po kështu edhe Krimeja – Krimeja nuk do të jetë kurrë më në Ukrainë. Kështu thonë gjeneralët kryesorë gjermanë”, kishte deklaruar presidenti Millanoviq dhe kishte shtuar se mijëra njerëz po vdesin atje.

    “Rusia është një vend i rrezikshëm. Ju nuk kuptoni asgjë. Ju po krahasoni serbët, këta opingarë që u rebeluan kundër superfuqisë bërthamore të botës”, ka pretenduar Millanoviq dhe ka shtuar: “Ukrainasit i urrejnë rusët në mënyrë patologjike, ky është fakt. Kroatët nuk i urrejnë kaq shumë serbët, sa shumë ata atje i urrejnë rusët”, kishte thënë Millanoviq./GazetaExpress

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!