×
  • Lajme
  • Lajme

    Tim Judah: Kur Kurti ishte në burg, Vuçiq ishte ministër i informimit, kjo po ndikon në dialog

    Reporteri
    18 Gusht 2022 | 21:22

    Gazetari dhe publicisti anglez, Tim Judah ka folur rreth takimit të sotëm në Bruksel me kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

    Judah, në një prononcim për Tv1, e sheh si pozitive edhe faktin që Kurti dhe Vuçiq më në fund u ulën ne tavolinën e bisedimeve.

    “Është zhgënjyese që nuk u arrit ndonjë marrëveshje sot, por është ende herët të gjykojmë. E mira është se liderët u takuan pas një viti dhe tani të shohim se çfarë do të ndodhë në ditët në vijim”, tha Judaj.

    Ai beson se raportet personale mes Kurtit dhe Vuçiqit po ndikojnë negativisht në procesin e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë.

    “Ishte një fazë kur dialogu po shkonte mirë, por tani duket se ka ngecur. Duket qartë se raportet mes Kurtit dhe Vuçiqit janë shumë të ftohta sepse kjo ka të bëjë me të kaluarën e tyre. Historia tregon se kur Vuçiq ishte ministër i informimit, Kurti ishte i burgosur politik, dhe kjo natyrisht që ndikon në dialog. Ndërsa me Thaçin dialogu kishte progres, sepse ai me Vuçiq pavarësisht dallimeve nga e kaluara e tyre e gjenin gjuhën e përbashkët në negociata”, u shpreh Judah.

    Ai ka folur edhe për çështjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

    Anglezi thotë se askush nuk e kupton se për çfarë asociacioni po bëhet fjalë, prandaj edhe paraqet problem.

    “Kosova e ka pranuar asociacionin, por problemi qëndron se ne nuk po e dimë se çfarë është ky asociacion. A është një NGO? A ka fuqi ekzekutive? Apo është një Republika Srpska? Këto dallojnë me njëra tjetrën. Akoma nuk po shoh vullnet politik nga palët që problemi të zgjidhet”, shtoi Judah.

    Shefi i diplomacisë së BE-së, Josep Borell, ka deklaruar se çështja e normalizimit të plotë të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë është e vendosur lartë në agjendën e tij.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!