×
  • Lajme
  • Lajme / Detajet

    Tragjedia e 1 janarit në Mal të Zi, krejt çka dihet deri tash rreth vrasjes së shumëfishtë në Cetinje

    Reporteri
    01 Janar 2025 | 21:46

    Mali i Zi është goditur nga një tragjedi sonte. Një përleshje e nisur në një tavernë, ka përfunduar me disa të vrarë. Informatat zyrtare nga Policia janë për katër të vrarë, por mediat raportojnë se numri ka shkuar në shtatë. I dyshuar është Aco Martinoviq, i cili ende ndodhet në arrati.  Reporteri.net ju sjell një përmbledhje të krejt asaj që dihet deri tash

    Viti 2025 ka filluar me një krim të rëndë në Cetinje të Malit të Zi. Një person atje ka vrarë disa persona, përfshirë edhe fëmijë, pas një përleshje në një prej tavernave. Motivet ende nuk dihen.

    Sipas informacioneve zyrtare të Policisë, të vrarë kanë mbetur katër persona. Mirëpo, mediat raportojnë se numri ka shkuar në shtatë, raportime që ende s’janë konfirmuar. Katër persona të tjerë kanë mbetur të plagosur dhe janë dërguar për trajtim në spital.

    Policia ka bërë me dije se i dyshuar për këto vrasja është Aco Martinoviq, i cili është arratisur. Tashmë është publikuar edhe fotografia e tij, teksa është paralajmëruar se i njëjti është i armatosur dhe i rrezikshëm.

    Në deklaratën e lëshuar nga Policia, qytetarëve u është bërë thirrje që të mos lejojnë persona të panjohur në shtëpitë e tyre.

    “Policia është duke ndërmarrë të gjitha aktivitetet në juridiksionin e saj për lokalizimin dhe vënien nën kontroll të personit dhe në terren ndodhen të gjitha njësitë organizative në dispozicion të policisë, përfshirë edhe Njësinë Speciale të Policisë. Vërejmë se personi është i armatosur dhe i rrezikshëm. Edhe edhe një herë drejtpërsëdrejti apelojmë te qytetarët e Cetinjës që të qëndrojnë të vëmendshëm dhe të qëndrojnë në objektet e tyre të banimit dhe të mos lejojnë persona të panjohur në shtëpitë e tyre, ndërsa policia të marrë të gjitha masat dhe veprimet me qëllim mbrojtjen e tyre dhe ndjekjen penale të autorëve. të kësaj ngjarje”, thuhet në njoftim.

    Më shumë detaje rreth kësaj tragjedia ka dhënë  Ministri i Punëve të Brendshme i Malit të Zi, Danilo Sharanoviq.

    Ai ka bërë me dije se i vdekur ka mbetur pronari i tavernës ku filloi përplasja dhe disa anëtarë të familjes së tij. Sharanoviq ka thënë se në mesin e viktimave janë edhe disa familjarë të të dyshuarit për këtë krim të rëndë, Aco Martinoviq.

    “Të gjitha kapacitetet në dispozicion të administratës policore, në krye me drejtorin e Drejtorisë së Policisë, ndodhen në Cetinje me qëllim që të dyshuarit për këto vrasje t’i hiqet liria. Disa persona janë vrarë, duke përfshirë pronarin e lokalit dhe disa anëtarë të familjes së tij, si dhe anëtarëve të familjes së të dyshuarit për vrasje”, ka deklaruar Saranoviq.

    Kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, e ka cilësuar këtë si “tragjedi të tmerrshme”, derisa ka njoftuar se ka shpallur tri ditë zie, më 2, 3 dhe 4 janar.

    Ai tha se janë në kërkim të autorit dhe se janë në rrugën e duhur për gjetjen e tij.

    “Tragjedia e tmerrshme na ka prekur të gjithëve. Tani për tani, të gjitha ekipet e policisë, gjithçka në dispozicion, janë në Cetinje. Po kërkojmë autorin, jemi në rrugën e duhur”, ka thënë Spajiq për transmetuesin publik malazez RTCG.

    Koncertet për shënim të Vitit të Ri janë anuluar në Podgoricë, Budvë dhe Kotor, ndërsa kryeministri Spajiq u ka bërë thirrje edhe komunave tjera që t’i anulojnë organizimet e jashtme.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!