Komuna e Prishtinës ka shprehur pikëllimin për aksidentin tragjik në një vendpunishte ndërtimore në rrugën “Holger Petersen”, ku si pasojë e rrëzimit të një vinçi një punëtor ka vdekur, ndërsa një tjetër ka mbetur i lënduar rëndë.
Në një njoftim, Komuna e Prishtinës ka shprehur ngushëllime për familjen, kolegët dhe të afërmit e viktimës, ndërsa ka uruar shërim për të lënduarin.
“Në emër të Kryeqytetit, shprehim ngushëllimet më të sinqerta familjes, kolegëve dhe të afërmve të viktimës, duke uruar një shërim sa më të shpejtë për të lënduarin”, thuhet në njoftimin e Komunës.
Sipas Komunës, pas pranimit të informatës për aksidentin, në vendin e ngjarjes kanë reaguar institucionet përgjegjëse, përfshirë Brigadën Profesionale të Zjarrfikjes dhe Shpëtimit të Kryeqytetit, Policinë e Kryeqytetit, Njësinë për Reagim të Shpejtë dhe Siguri, ekipet e Urgjencës Mjekësore dhe Drejtorinë për Siguri dhe Emergjenca.
“Të gjitha ekipet kanë vepruar me përkushtim maksimal, profesionalizëm dhe koordinim të plotë ndërinstitucional, duke bërë çdo përpjekje për shpëtimin e jetëve dhe sigurimin e vendit të ngjarjes”, ka bërë të ditur Komuna.
Nga Komuna e Prishtinës kanë falënderuar ekipet emergjente për angazhimin gjatë ndërhyrjes.
“Kryeqyteti falënderon secilin pjesëtar të shërbimeve emergjente për angazhimin, guximin dhe profesionalizmin e treguar në këtë ndërhyrje jashtëzakonisht të vështirë”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, lidhur me shkaqet dhe rrethanat e aksidentit, Komuna ka theksuar se hetimet po zhvillohen nga njësitet relevante policore në koordinim me Prokurorin e Shtetit.
“Kryeqyteti rithekson rëndësinë e respektimit rigoroz të standardeve të sigurisë dhe mbrojtjes në punë në çdo vendpunishte ndërtimore, me qëllim të parandalimit të rasteve të tilla tragjike dhe mbrojtjes së jetës së punëtorëve dhe qytetarëve”, përfundon njoftimi i Drejtorisë për Siguri dhe Emergjenca të Komunës së Prishtinës.