Autor: Xhezair Dashi
Marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë kanë pësuar rënie të theksueshme.
Përveç të qënit larg normalizimit të marrëdhënieve përmes arritjes së një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme – siç u kërkohet palëve nga unioni evropian, në truallin politik të së cilës aspirojnë Kosova dhe Serbia – ka pasur edhe kërcënime vokale të luftës.
Edhe vetë Sekretari Gjeneral i NATO-s, në kontekstin e këtyre tensioneve, aranzhoi takim ndaraz me Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin dhe Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Por se takimet me Stoltenberg, kryetarja e lëvizjes evropiane të serbëve, Rada Trajkoviç, konsideron se nuk duhet të jenë të ndara.
Kjo, sipas saj, pasi që palët dalin me interpretime të ndryshme dhe në favor të tyre.
“NATO-ja [KFOR-i] është duke mbajtur diskutime në terren edhe me Qeverinë e Kosovës dhe me Shtabin e Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Serbisë”.
“Është po ashtu e qartë se NATO-KFOR-i ka mbledhur inteligjencën e saj rreth situatës, që për ta paraqitet si brengosëse. Kjo ka qenë duke u bërë operacionalisht në terren”, rikujton ajo.
Sidoqoftë, shprehet Rajkoviç për Gazetën Online Reporteri.net, “nuk mendoj se është e frytshme që takimet në selinë e NATO-s në Bruksel me Sekretarin e Përgjithshëm të jenë ndaraz”.
Palët duhet të takohen së bashku, konsideron ajo.
“Jam më në favor që palët të jenë brenda një dhome të njëjtën kohë, së bashku me përfaqësuesit e NATO-s e me NATO-n si ndërmjetësues dhe garantues të çfarëdo marrëveshje”.
Pa një takimi të llojit të këtillë, aktivistja dhe politikanja serbe konsideron se palët do të gjejnë mënyra për t’iu shmangur zotimeve.
“Sepse përndryshe, druaj se palët i kthehen mbrapsht çfarëdo marrëveshjeje duke pretenduar keqkuptime”.
“Nëse takimet mbahen veçmas, ka më shumë mundësi që palët të interpretojnë marrëveshjen sipas mënyrave të tyre – dhe në favor të tyre – e cila, sipas mendimit tim, mund të jetë e rrezikshme”, tha ajo për Reporteri.net.
Referuar, siç thotë ajo, “seriozitetit të situatës”, nuk bën të lejohen të krijohen “këso ambiguitetesh”.
Se Kosova dhe Serbia duhet t’i qasen më seriozisht situatës, Trajkoviç thotë se “është mëse e nevojshme”. “Ngase, në fund të fundit, po qe se ndizet konflikt, të rinjt serbë dhe shqiptarë humbasin jetën”.
“Priremi të mendojmë se NATO-ja do të na zgjidhë çfarëdo konflikti dhe të luftojë për neve, por kjo është një iluzion”, konsideron ajo.
Se NATO do të intervenonte në qoftë se shqetësohet seriozisht stabiliteti, Trajkoviç thotë se sigurisht se po, sipas mandatit që ka nga OKB dhe Rezoluta 12/44, por se “nëse situata del përtej kontrollit, situata mbetet në përgjegjësinë tonë”.
“Dhe, mos të harrojmë një gjë, se NATO-ja përbëhet nga 30 shtete anëtare, të cilët poashtu kanë edhe prioritetet dhe interesat e tyre në rajon”, tregon ajo për Reporteri.net.
Pyetur se nëse BE ka kapacitetet e nevojshme për të frenuar një konflikt të munshëm, Trajkoviç shprehet skeptike.
“Po të ishin në gjendje, nuk do të ishim këtu ku jemi sot me këto tensione kaq të larta”.
Kjo ngase Bashkimi Evropian, ditë më parë reagoi ndaj kryeministrit kosovar dhe presidentit serb për “retorikën nxitëse” përçka u shpreh se në rast të ndonjë lloj përshkallëzimi “politikanët e nivelit të lartë do të mbahen përgjegjës”.d
Në lidhje me dialogun e Brukselit për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, ajo thotë se “kjo tani më ka kohë që ka nisur” dhe atë “me disa njerëz që udhëheqin këtë iniciativë dhe duke zbatuar, kohë pas kohe, strategji drastikisht të kundërta, si dhe qasje ndaj zgjidhjeve”.
Por, “fatkeqësisht”, shprehet ajo, “ja, tani e gjejmë veten në rrezik të një konflikti të mundhsëm”.
“Dhe, padyshim, kjo është turpëruese për BE-në”.
Megjithëse Trajkoviç thotë se sa i përket ndikimit ekonomik të BE-së në rajon “ajo është e padiskutueshme dhe e parivaltë”, por se këtë ndikim në sferën politike “ka dështuar ta përkthejë në influencë reale ndaj aktorëve lokalë”, ose, siç thotë ajo, “madje as në ndonjë mekanizimi efektiv për të menaxhuar krizat”.
“Kjo mbetet sfidë për ta, dhe përgjigjet ndaj saj do të duhet të gjenden”.
Trajkoviç konsideron se deklarimet e të dyja palëve “kanë ngritur shqetësime te qytetarët” si dhe “kanë ngritur prospekt lufte”.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, vazhdimisht ka ngritur shqetësimin për mundësinë e një përshkallëzimi. Kjo, sipas tij, nga pala serbe. Ndërsa Vuçiç serbëve u është drejtuar me paralajmërime të zëshme, që, siç thotë ai, “po përgatitet një [operacion ushtarak] Stuhi e re”.
Adresimin për media që Vuçiç e bëri më 31 gusht, analistë në Beograd madje e krahasuan me fjalimin prelud të luftës së Slobodan Millosheviç më 1989 në Gazimestan.
Në dritë të kësaj, alarmet janë ngritur.
Edhe andej edhe këndej kufirit, Trajkoviç thotë se “për keqardhje, janë ngritur forcat”.
Por se prezencën e shtuar të njësisë speciale në Veri të Kosovës, Trajkoviç e sheh shqetësuese për popullatën lokale.
“Prezenca e tyre ndjehet fuqishëm nga popullata lokale”.
Në anën tjetër, shqetësuese është edhe se “forcat e sigurisë serbe kanë ngritur gatishmërinë në Zonën e Sigurisë”.
Por, çka është ende më indikative, thotë Trajkoviç, janë edhe vetë konstatimet e KFOR-it.
“Çfarë e bën situatën edhe më serioze është fakti se KFOR-i i NATO-s, të cilët kanë inteligjencën e tyre rreth situatës, gjithashtu kanë ngritur gatishmërinë dhe po thonë haptazi se janë të përgatitur të intervenojnë nëse shqetësohet paqja”, i thotë ajo Gazetës Online Reporteri.net.
“Kjo mund të merret si tregues që kërcënimi real për konflikt ekziston”.
Pyetur rreth pozicioneve përjashtuese mes palëve – njohja e ndërsjellë në qendër dhe Asociacioni i komunave me shumicë serbe – Trajkoviç shmang atë të parën.
Por se Asociacionin, thotë ajo, Kosova duhet ta përmbush.
“Marrëveshja e Brukselit është aty. Dokumentet janë nënshkruar, dhe elementet e saj janë definuar. Kuvendi i Kosovës e ka pranuar dhe verifikuar marrëveshjen, dhe ky dokument – si marrëveshje ndërkombëtare – merr përparësi ndaj çfarëdo ligji lokal – përfshirë kushtetuat lokale”, konsideron ajo.
Kjo, sipas saj, s’ka çfarë të diskutohet.
Çështje tjetër, thotë Trajkoviç, nëse Kosova nuk dëshiron ta zbatojë atë. “Në rast të tillë, Kosova duhet të përgatitet për kollapsin total të marrëveshjeve dhe konsekuencat që vinë me të”, thotë ajo.
Madje, sipas saj, në një ngjarje të tillë, “Kosova do të ishte pala përgjegjëse për dështimin e procesit të Brukselit”.
“Nuk jam e mendimit që shoqëria kosovare është e përgatitur ta mbajë atë etiketë të parehatshme”, përfundon ajo për Reporteri.net.