×
  • Lajme
  • Lajme / Prokuroria Themelore

    Tre të akuzuarit për sulmin terrorist në Banjskë deklarohen të pafajshëm

    Reporteri
    09 Tetor 2024 | 10:50

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë u mbajt të mërkurën seanca përgatitore për rastin e sulmit në Banjskë, në të cilën dy të akuzuar, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, nuk pranuan të deklarohen për fajësinë në këtë fazë të procesit.

    Gjykatësi i rastit konstatoi se me ligj, ky veprim do të thotë se ata nuk e pranojnë fajësinë.

    I akuzuari i tretë i pranishëm në sallën e gjyqit, Dushan Maksimoviq, u deklarua i pafajshëm.

    Avokati i Spasojeviqit, Lubomir Pantoviq, tha për Radion Evropa e Lirë se të akuzuarit kanë të drejtë ta pranojnë ose ta pranojnë pjesërisht fajësinë në një fazë të mëvonshme.

    Seanca e së mërkurës nisi me leximin e emrave të të akuzuarve që ndodheshin në sallën e gjyqit, ndërkohë që prokurori lexoi aktakuzën.

    Më 11 shtator, Prokuroria Speciale e Kosovës ngriti aktakuzë kundër 45 personave, të cilët akuzohen për terrorizëm, financim të terrorizmit dhe vepra të tjera të rënda penale, por vetëm tre prej tyre – Tolliq, Spasojeviq dhe Maksimoviq – janë në dispozicion të organeve të drejtësisë.

    Pas seancës së sotme, mbrojtja i ka 30 ditë kohë për të apeluar aktakuzën.

    Prokuroria Speciale e Kosovës i ngarkon të akuzuarit në rastin Banjska, ndër të tjera, për vepra terroriste dhe vepra kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Kosovës.

    Më herët, prokurori i rastit, Naim Abazi, ka thënë se të akuzuarit kanë pasur role të ndryshme brenda grupit kriminal – nga organizimi dhe drejtimi i aktiviteteve terroriste deri te financimi dhe pastrimi i parave.

    Në aktakuzë thuhet se ky grup, përmes përdorimit të dhunës me armatim të rëndë, ka tentuar “ta shkëpusë pjesën veriore të territorit të Republikës së Kosovës, respektivisht komunat e banuara me shumicë serbe, dhe këtë pjesë të territorit t’ia bashkojë Republikës së Serbisë”.

    Si lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur një rol të rëndësishëm në koordinimin e sulmit dhe aktivitetet kriminale.

    Radoiçiq gjendet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhjet me krimin e organizuar ndërkombëtar dhe korrupsionin.

    Në Kosovë, ai gjithashtu lidhet me vrasjen e një politikani opozitar serb, si dhe me frikësimin e dëshmitarëve në një proces gjyqësor për disa ndërtime ilegale.

    Në aktakuzë, Prokuroria përmend 34 dosje me prova, në mesin e të cilave ka video-incizime, analiza të pajisjeve elektronike, përgjigje të ndryshme nga Luksemburgu, Bosnje e Hercegovina, bankat dhe institucione të ndryshme, deklarata të dëshmitarëve etj.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!