Gjykata Themelore në Prishtinë e ka shpallur fajtor Murat Dernjanin për veprën penale të krimeve kundër njerëzimit dhe e ka dënuar atë me 20 vjet burgim. Krimet dyshohet se ai i kreu mes viteve 2013 deri më 2017, kur ai i ishte bashkuar ISIS-it dhe ka vepruar në Siri dhe Irak.
Procesi gjyqësor ndaj Dernjanit është zhvilluar me dyer të mbyllura për shkak të ndjeshmërisë së lartë të çështjes dhe për të garantuar mbrojtjen e të dëmtuarve.
Sipas vendimit të gjykatës, dëshmitë e të dëmtuarve dhe dëshmitarëve, përfshirë ato të lexuara gjatë shqyrtimit gjyqësor, kanë qenë të konsistente dhe të ndërlidhura, duke e identifikuar të akuzuarin si personin përgjegjës për kryerjen e akteve të dhunës ndaj viktimave në Siri dhe Irak, përcjell gazeta online Reporteri.net.
Gjykata konstatoi se veprimet e Dernjanit përbëjnë shkelje të rënda të Konventës së Gjenevës dhe të normave të të drejtës ndërkombëtare humanitare.
Dënimi përfshin edhe kohën e kaluar në paraburgim, e cila do të llogaritet në vuajtjen e dënimit të shqiptuar.
Në të kaluarën, emri i Murat Dernjanit kishte dalë në pah si pjesë e hetimeve për terrorizëm. Gjykata Themelore e Prishtinës, në janar të vitit 2019, e kishte dënuar atë me 5 vjet burgim për vepra penale që ndërlidheshin me terrorizëm. Ai kishte pranuar fajësinë për organizim dhe pjesëmarrje në grupe terroriste.
Sipas aktakuzës së atëhershme nga Prokuroria Speciale e Kosovës, Dernjani në vitin 2013 kishte udhëtuar drejt Turqisë bashkë me bashkëshorten dhe djalin e tij, me qëllim që t’i bashkohej organizatës terroriste ISIS. Në dokumente thuhej se ai ishte vendosur fillimisht në qytetin turk Kilis, pranë kufirit me Sirinë, e më pas kishte hyrë ilegalisht në Gaziantep, prej nga ishte bashkuar me ISIS-in në Siri dhe Irak.
Po ashtu, për Dernjanin raportohej se kishte qenë bashkëpunëtor i afërt i Lavdrim Muhaxherit, një prej figurave më të njohura të shqiptarëve në radhët e ISIS-it.
Sipas Prokurorisë, Dernjani kishte qëndruar në Siri deri në gusht të vitit 2017, kohë kur ishte tërhequr nga aktivitetet terroriste dhe ishte dorëzuar tek autoritetet turke, për t’u rikthyer më pas në Kosovë.
Në procesin e fundit gjyqësor ndaj tij, avokati mbrojtës Dejan Vasiq e kishte cilësuar Dernjanin si “njeriun më të privuar nga e drejta”, duke vënë në dyshim vërtetësinë dhe origjinën e provave të paraqitura nga Prokuroria. Ai kishte deklaruar se provat kundër Dernjanit ishin “jashtëzakonisht të dyshimta dhe të siguruara nga shërbimet e huaja inteligjente”.
Vasiq kishte kritikuar edhe faktin që procesi ishte zhvilluar me dyer të mbyllura, duke kërkuar që klientit të tij t’i mundësohej të deklarohej publikisht dhe të mbrohej nga, siç i quajti ai, “akuzat e rreme që kanë dëmtuar reputacionin e tij dhe të familjes së tij”.
Pavarësisht këtyre pretendimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë e shpalli Dernjanin fajtor për krime kundër njerëzimit dhe e dënoi me 20 vjet burg.
Kur Murat Dernjani u arrestua në vitin 2017 në Turqi, ish-bashkëpunëtori i ngushtë i Lavdrim Muhaxherit u raportua se gjatë qëndrimit të tij në Siri ka kryer akte çnjerëzore, që sipas raportimeve të mediave të huaja që u përcjellën edhe tek ato vendore, Dernjani dyshohej edhe për përdhunim e të miturave në luftën në “token e Shamit”.
Kosovari që për në Siri u nis nga Gjermania, raportohej se ka qenë i njohur për brutalizmin e tij ndaj grave dhe vajzave të mitura “yazidi”, të cilat thuhet se i ka bërë edhe skllave të veta. Mizoritë e tij kishin marrë vëmendjen edhe të mediave gjermane.
Kur ai u bë i njohur brenda ISIS’it se i ka ekspozuar skllevërit e tij para njerëzve të tjerë dhe ka përdhunuar edhe të mitur, shteti gjerman i revokoi atij leje-qëndrimin e përhershëm, ndonëse kishe lindur në Gjermani, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Media gjermane “BILD”, në vitin 2018 shkruante se Dernjnai në ISIS u njoh edhe si “problematik”, pasi që, ai ishte kapur disa herë duke i plaçkitur dhe duke ua vjedhur gjësendet pjesëtarëve të tjerë të xhihadistëve të ISIS’it. Por, ai disi arriti t’iu shmanget gjyqësorit të ISIS’it. Sipas të njëjtit raportin, ai ishte anëtar i brigadës terroriste që kishin udhëtuar nga qyteti Dinslaken dhe Lohberg për t’iu bashkuar grupit terrorist ISIS në Siri.
Për mizoritë e Dernjanit në ISIS, Ministria e Jashtme e Kosovës ishte njoftuar me e-mail nga Konsulli i Ambasadës së Kosovës në Turqi, në vitin 2017 kur kosovari kishte kërkuar të largohej nga Siria bashkë me fëmijët e tij dhe të kthehej në Gjermani, gjë që e kishte të pamundur me që autoritetet gjermane i kishin hequr leje-qëndrimin e përhershëm. /Reporteri.net/.