Prokuroria Themelore e Prishtinës ka nisur hetimet lidhur me rastin ku ra një pjesë e kulmit të Komunës së Re të Prishtinës.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Reporteri.net, zëdhënësja e kësaj Prokurorie, Laureta Ulaj. E njëjta ka bërë të ditur se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendngjarje me njësitet relevante ku janë iniciuar hetime në drejtim të veprës penale “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
“Lidhur me këtë rast, ju njoftojmë se Prokurori i Shtetit ka dalë në vendin e ngjarjes e bashkë me njësitë relevante dhe me urdhër të njëjtit janë iniciuar hetime fillimisht në drejtim të veprës penale ‘Shkaktimi i rrezikut të përgjithshëm’.
Prokuroria në koordinim me policinë kanë filluar me ndërmarrjen e të gjitha veprimeve të nevojshme hetimore lidhur me këtë rast, nga i cili sipas informatave që kemi deri më tani ka marrë lëndime trupore një person (femër)”, tha Ulaj për Reporteri.net.
Nga rënia e kulmit, një grua ka mbetur e lënduar, derisa nga Emergjenca për Reporteri.net thanë se është jashtë rrezikut për jetën.
Kështu ka bërë të ditur për Gazetën Online Reporteri.net shefi i Emergjencës, Naser Syla.
“Po kryhen ekzaminimet. Gjendja e saj momentalisht është stabile”, tha shkurtimisht Syla për Reporteri.net./Reporteri.net/
Rënia e kulmit të objektit të Komunës, flasin nga QKUK-ja për gjendjen e vajzës që u lëndua