Një janar “intensiv” është paralajmëruar sa i përket dialogut me Serbinë.
Por, Bashkimi Evropian ende nuk ka datë për rifillimin e dialogut për normalizim të marrëdhënieve.
Zëdhënësja e BE-së, Zoi Muletier në një përgjigje për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se “nëse do të ketë një takim do ta bëjnë publik kur të është e përshtatshme”.
Nota optimiste sa i përket dialogut nuk ka shfaqur ndërmjetësi evropian në dialog, Miroslav Lajçak.
Për Lajçak niveli i mosbesimit mes palëve nuk ka qenë kurrë më i lartë se kaq pas zhvillimeve në veri të vendit, me barrikadat që mbajtën të bllokuar këtë pjesë për tri javë me radhë.
Lajçak këmbëngul nëse një marrëveshje nuk arrihet më së largu deri më 2024, do të duhen të kthehen nga e para në këtë proces.
“Tani për tani kemi një strukturë shumë të favorshme, kemi vëmendjen e menaxhmentit të lartë në SHBA dhe Bashkimin Evropian dhe kemi një shembull të bashkëpunimit BE-SHBA, kështu që kjo është një mundësi reale, diku deri në dhjetor 2023 ose në fillim të 2024. Nëse gjërat nuk bëhen deri atëherë, ne do të duhet të fillojmë nga e para. Nëse i kthehemi krizës dhe konflikteve, atëherë mund të harrojmë afatet”, theksoi Lajçak javën e kaluar.
Pak më optimist është shprehur Jeff Hovenier, ambasadori amerikan në Kosovë.
Ai gjatë ditës së djeshme ka thënë se “përderisa qëllimi përfundimtar ishte njohja reciproke e Kosovës dhe Serbisë, ‘e cila për fat të keq tani nuk është e mundur, sfidat e sotme ende mund të tejkalohen’.
Një “janar intensiv” e paralajmëroi edhe ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Beograd, Christopher Hill.
Hill ka paralajmëruar aktivitete intensive pas festave të fundvitit për gjetur zgjidhjen ndërmjet Kosovës e Serbisë nëpërmjet procesit të dialogut.
Sipas Hill, gjatë janarit do të nisin përpjekjet e para.
“Së pari duhet ta tejkalojmë këtë krizë, të mos lejojmë që të ndodhin gjëra të këqija, të mos e tolerojmë dhunën, të mos lejojmë që njerëzit të lëndohen. Çfarë është e rëndësishme në negociata – dhe unë kam qenë pjesë e tyre shumë herë – është që të shfrytëzohet momentumi drejt një zgjidhjeje politike. Dhe mendoj që do të shohim përpjekje në këtë drejtim në janar, kur të gjithë të kthehen nga pushimet. Mendoj se do të shohim shumë aktivitet me përpjekje për të ndërmarrë hapa politik në procesin e dialogut për të ecur përpara”, ka thënë Hill.
Për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbisë nëpërmjet dialogut, Hill ka thënë se do të ketë përpjekje nga BE-ja si dhe nga SHBA-ja.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i cili me sa duket nuk do të ketë një vit aspak të lehtë përpara, ka thënë se Serbia nuk është e interesuar për arritjen e marrëveshjes finale, megjithëse konfirmoi se në muajin janar të vitit 2023 do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimin e radhës në Bruksel. Kurti, thekson se Serbia më shumë është e interesuar për shkaktimin e krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor për t’i zgjidhur ato.
“Është e pritshme që në janar do të ketë nisma të reja për të përgatitur takimet në Bruksel. Me datën 18 gusht ka ndodhur një takim në procesin e bisedimeve le të themi historik, por me h të vogël, pasi për herë të parë agjenda e ka pasur rendin logjik të gjërave… Tri javë më vonë u bë propozimi që e kemi konsideruar si bazë e mirë për bisedime të mëtutjeshme nga emisarët specialë, të cilët erdhën edhe në Prishtinë me atë që është quajtur iniciativa franko-gjermane për marrëveshjen që i përngjanë dy Gjermanive me elemente dhe opsione të ndryshme. Unë besoj se aty thirrja që bëhet në vlera demokratike evropiane është pozitive, por procesi negociator do të tregojë si do të shkojë më tutje. Por është e qartë se Serbia nuk është e interesuar për marrëveshje dhe dialog. Ajo është e interesuar vetëm për shkaktim të krizave në të cilat mandej shfaqet vet si faktor që i zgjidh ato”, thotë ai.
Ndërkaq presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq paralajmëroi se në janar zyrtarë të rëndësishëm pritet të aterrjnë në Serbi për një zgjidhje me Kosovën.
Kurti dhe Vuçiq gjatë këtij viti kanë pasur tri takime të nivelit të lartë në Bruksel.
Për herë të parë, dy zyrtarët janë takuar më 15 qershor dhe gjatë takimit kanë prezantuar pozicionet e tyre të kundërta.
Takimi i dytë u zhvillua më 18 gusht. Ndonëse ishte paralajmëruar se pritet të ketë një dinamikë të re në dialog dhe takime të nivelit të lartë së paku një herë në muaj, liderët e dy vendeve u takuan sërish tek në nëntor, për të biseduar rreth çështjes së targave.
Në fund palët kanë thënë se nuk janë pajtuar për asgjë, mirëpo kanë shprehur gatishmëri për vazhdim të dialogut. /Reporteri.net