×
  • Lajme
  • Lajme

    U përfshi në videon e tyre, Pal Lekaj paralajmëron padi ndaj Lëvizjes Vetëvendosje

    Reporteri
    24 Janar 2023 | 21:20
    Deputeti i AAK'së, Pal Lekaj

    Deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Pal Lekaj, ka deklaruar se do ta padisë Lëvizjen Vetvëndosje pas videos propagandistike që publikoi sot ku i përfshirë doli edhe deputeti Lekaj.

    Ai konsideroi se deklarimet e bëra për të në atë video janë spekulime derisa tha se do të dërgojë padi ndaj VV’së, shkruan Gazeta Online Reporteri.net

    “Besoni që po, sepse të merret dhe të vendoset figura ime dhe të përmenden 182 milionë shpronësime që nuk janë bërë nga unë dhe zhvatje të buxhetit, mendoj që është spekulim dhe mund të them mashtrim i llojit të vet për qytetarët e Republikës së Kosovës dhe kjo bëhet për ta zhvendosur vëmendjen me këto video. Le të vazhdojnë edhe me video të tjera ata nuk kanë punuar asgjë dhe nuk kanë çka të iu prezantojnë qytetarëve”, ka deklaruar ai në RTV Dukagjini.

    Ai ka shtuar se VV’ja po publikon video të tilla me qëllim të zhvendosjes së vëmendjes së qytetarëve nga mos puna e Qeverisë Kurti.

    “Këta kanë bërë një urë 15 metra dhe një rrugë në veri 7 kilometra. Ky është rezultati i kësaj qeverie në infrastrukturë. Këta tash po dalin e po bëjnë filma”, tha ai.

    Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar të martën pjesën e dytë të videos “Çka ka, çka s’ka”.

    Në këtë video që Lëvizja Vetëvendosje publikoi akuzon qeveritë e kaluara për hajni në ndërtimin e rrugëve.

    Në video thuhet se shteti serb i bllokoi rrugët në veri, ndërsa qeveritë e mëparshme akuzohen për bllokimin e rrugëve, siç thuhet, në pjesët e tjera të vendit.

    “Në veri e dimë se bllokimi i rrugëve ka ndodhur me barrikada fizike të një shteti armiqësor. Por, bllokimi i rrugëve në jug, lindje, perëndim, e gjithandej vendit tonë ka ndodhur me barrikadat e njerëzve tanë që dikur ishin në pushtet dhe provuan të pasurohen nga ndërtimi i tyre”, thuhet ndër të tjera në video. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!