×
  • Lajme
  • Lajme

    U shkarkuan nga bordet që i emëroi Kurti, kthimin në punë ua nënshkruan inspektori i afërt me PDK’në

    Reporteri
    27 Maj 2020 | 21:46

    Dy vendime të marra javë më parë nga bordet e përkohshme të dy ndërmarrjeve publike, të emëruara nga kryeministri në detyrë i vendit, Albin Kurti, janë hedhur poshtë si të kundërligjshme, të mërkurën.


    Inspektorati i Punës, në kuadër të Ministrisë së Punës dhe Mirëqenies Sociale, ka vlerësuar se Bedri Istrefi është shkarkuar në kundërshtim me ligjin nga posti i kryeshefit ekzekutiv të Telekomit të Kosovës.

    I njëjti organ sot ka vendosur po ashtu që ta shpallë të kundërligjshëm edhe shkarkimin e drejtorit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Njazi Thaçi.

    Vendimet e Inspektoratit të Punës kanë obliguar bordin e Telekomit dhe bordin e KEK’ut që t’i anulojnë vendimet e tyre, dhe t’i kthejnë Istrefin dhe Thaçin në pozitat që kishin në ndërmarrjet në fjalë.

    Nëse Telekomi dhe KEK’u nuk zbatojnë vendimet e Inspektoratit të Punës, dy ndërmarrjet rrezikojnë të dënohen me gjoba.

    Kundër vendimeve është lejuar ankesë në afat prej 8 ditësh tek organi i shkallës së dytë i Inspektoratit të Punës.

    Që të dy vendimet e sotme të Inspektoratit të Punës janë nënshkruar nga inspektori i punës, Ardian Megjani, me numër identifikues 1820, shkruan Gazeta Express.

    Megjani njihet si militant i Partisë Demokratike të Kosovës, ndërsa më parë ishte punësuar si Zyrtar i Lartë Ligjor në Inspektoratin Shëndetësor, në kuadër të Ministrisë së Shëndetësisë, në vazhdën e instalimit të aktivistëve partiakë në institucione nga partitë e koalicionit të atëhershëm qeverisës mes PDK’së, Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nismës Socialdemokrate.

    Megjani, përkrahës i kamotshëm i PDK’së, në veçanti i ish-kreut të saj, tani president i vendit, Hashim Thaçi, që e tregon edhe aktiviteti i tij në rrjetet sociale, mori pozitë të lartë në Ministrinë e Shëndetësisë, që e udhëhiqte asokohe nënkryetari i PDK’së, Uran Ismaili.

    Tani inspektor i punës, Megjani në rrjetet sociale shprehte simpati për PDK’në, por edhe për vetë ministrin e Shëndetësisë.

    Në një nga postimet e tij, që tashmë rezultojnë të fshira, ai shprehte përkrahje për kandidaturën e Ismailit për degën e PDK’së në Prishtinë.

    Ndërkaq, më herët, kur Hashim Thaçi kandidonte në zgjedhje për kryeministër, Megjani përfshihej edhe në aktivitetet e fushatës së tij.

    Ndaj vendimeve të sotme të Inspektoratit të Punës, përkatësisht të Megjanit, ka reaguar drejtori ekzekutiv i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj.

    Ai ka deklaruar se Inspektorati po tregohet shumë efikas sa i përket pozitave menaxheriale, por se, sipas tij, të njëjtën gjë asnjëherë s’e ka treguar në raport me punëtorët e zakonshëm.

    “Inspektorati i Punës në element. Super efikas për shefa dhe pozita menaxheriale. Krejt në rregull. Ama këtë vullnet për punë dhe këtë efikasitet asnjëherë se treguan edhe në raport me punëtorët e zakonshëm, në mbrojtjën e të drejtave dhe interesave të tyre. E kam përshtypjen se po i vjen era këtij efikasiteti. Për dikend nanë, për dikend njerkë”, ka shkruar Miftaraj në Facebook.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!