×
  • Lajme
  • Lajme

    UGK: Linçimi i gazetarëve nga Durmishi të hetohet, Vetëvendosje të kërkojë falje

    Reporteri
    26 Tetor 2019 | 21:39

    Unioni i Gazetarëve të Kosovës ka kërkuar nga Lëvizja Vetëvendosje të distancohet nga anëtari i saj që kërcënoi dhe linçoi gazetarët me arrestim për shkak se kishin shkruar dhe dhënë mendime për ‘Rastin Dehari”.


    Po ashtu, UGK ka kërkuar nga organet e drejtësisë të hetojnë gjuhën linçuese të Durmishit, i cili kishte thënë se duhet të arrestohen edhe gazetarët pasi u publikuar raporti për Astrit Deharin.

    “Unioni i Gazetarëve të Kosovës (UGK) dënon ashpër kërkesën linçuese për arrestimin e gazetarëve nga ana e zyrtarit të Vetëvendosjes z. Hysen Durmishi. Kjo gjuhë kërcënuese e linçuese drejtuar në adresë të gazetarëve dhe mediave është e dënueshme dhe e ndaluar. Vetëvendosje duhet t’iu kërkojë falje gazetarëve dhe mediave dhe të mos bie në kundërshtim me parimet e demokracisë, lirinë e mediave dhe gazetarëve të garantuar me Kushtetutën e Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftimin e UGK’së deguar mediave.

    Sipas UGK’së, organet e drejtësisë duhet ta trajtojnë me prioritet çdo kërcënim në adresë të gazetarëve dhe mediave nga kushdoqoftë dhe në çfarëdo forme.

    “UGK, i bënë thirrje z. Durmishi dhe gjithë të tjerëve që i kërcënojnë gazetarët të ndalin veprime të tilla dhe të kërkojnë falje sepse linçimi dhe kërcënimi janë të papranueshme”, thuhet në fund të deklaratës së Unionit të Gazetarëve të Kosovës.

    I pari që kërkoi të ndalet gjuhe kërcënuese ndaj gazetarëve ishte avokati Arianit Koci. Ai ka thënë se kërcënime për burgoje të gazetarëve ndodhin vetëm në Rusi, Kubë, Turqi, Venezuelë.

    “A ka Asociacion të Gazetarëve në këtë vend? A ka gazetarë? A është dikush që mbron lirinë e mediave? Lirinë e gazetarëve? Thirrjet për burgosjen e gazetarëve bëhen vetëm në Rusi, Turqi, Venezuelë e Kubë. Gazetarët s’mund të arrestohen pse kanë shkruar, pse kanë shprehur mendimin e tyre – qoftë edhe i gabuar”, ka shkruar Koci, në një reagim.

    Pas kësaj kishte reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës duke kërkuar të ndalet gjuha linçuese e zyrtarit të VV’së.

    Disa zyrtarë të Vetëvendosjes nisën t’i bëjnë përgjegjës edhe mediat dhe gazetarët pse s’kanë raportuar ashtu siç kanë dëshiruar ata për vdekjen e Astrit Deharit, më 2006, në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Madje, kërkuan edhe të nisin arrestimet e gazetarëve përfshirë Vehbi Kajtazin e Baton Haxhiun. Asnjëri prej tyre ende s’e ka dhënë asnjë koment për këtë thirrje.

    Rasti ish-anëtarit të Vetëvendosjes u rikthye në publik pas ekspertizës së ardhur nga Zvicra në të cilën thuhet se bazuar në provat e prezantuara është pak e mundshme që Astrit Deharitë ketë bërë vetëvrasje. Kërkohet të bëhet një hetim i ri për të shikuar edhe pista tjera përfshirë edhe përfshirjen e ndonjë personi të tretë në këtë ngjarje.

    Raporti i ardhur nga Zvicra nuk konstaton askund se Astrit Dehari është vrarë, s’tregon nga kush është vrarë dhe as si është vrarë, por kërkon që edhe kjo pistë të hetohet për të zbardhur krejtësisht të vërtetën.

    Astrit Dehari ishte arrestuar fillimisht si i dyshuar për sulm terrorist mbi Kuvendin e Kosovës bashkë me disa anëtarë tjerë të Vetëvendosjes. Ka vdekur 78 ditë pasi ishte arrestuar derisa ishte në paraburgim në Burgun e Prizrenit. Rasti i aktivistëve të VV’së është kthyer në rigjykim por ende s’është caktuar data.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!