×
  • Lajme
  • Lajme / Mitrovicë

    Urat e reja mbi Ibër, BE: Çdo projekt kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog mes komuniteteve

    Reporteri
    07 Korrik 2025 | 19:46

    Një zëdhënës i Bashkimit Evropian ka thënë se ndërtimi i dy urave të reja mbi lumin Ibër në Mitrovicë është zhvillim që bart rëndësi, edhe politike edhe praktike” dhe që “secili projekt infrastrukturor në mes të Mitrovicës së Jugut dhe asaj të Veriut kërkon koordinim të ngushtë dhe dialog në mes të të gjitha komuniteteve”.

    Nga blloku evropian kanë deklaruar për Radio Evropa e Lirë se është thelbësore që projekte të tilla të reflektojnë vullnetin dhe nevojën e komuniteteve lokale.

    Qeveria në detyrë e Kosovës i ka ndarë rreth tre milionë euro për ndërtimin e dy urave – njëra për këmbësorë dhe tjetra për trafik – dhe punimet rreth tyre pritet të përfundojnë në vjeshtë.

    Sipas autoriteteve në Prishtinë, qëllimi i projekteve është “integrimi dhe zhvillimi” mes banorëve të Mitrovicës së Veriut me shumicë serbe dhe asaj të Jugut me shumicë shqiptare.

    Gurëthemelet e dy urave në Mitrovicë janë vendosur më 1 korrik, ndërsa i pranishëm ka qenë edhe kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti.

    Urat do të ndërtohen pranë urës kryesore mbi lumin Ibër, e cila është pjesë e Marrëveshjes për Lirinë e Lëvizjes, e arritur në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Në këtë urë qëndrojnë vazhdimisht pjesëtarë të misionit paqeruajtës të NATO-s, KFOR, pasi ajo njihet për konflikte etnike në periudhën e pasluftës.

    Kjo ka qenë edhe arsyeja kryesore për mbylljen e saj për qarkullimin e makinave.

    Bashkimi Evropian ka porositur më 7 korrik që “të gjitha marrëveshjet mes Prishtinës dhe Beogradit, përfshirë ato lidhur me urën në Mitrovicë të zbatohen plotësisht”.

    Blloku evropian ka bërë të ditur se është duke kryer vlerësimin e strukturës së urës në Mitrovicë dhe është duke analizuar planin urbanistik të zonës përreth, dhe që autoritetet e Kosovës janë ta informuara për këto zhvillime.

    “Ky vlerësim nuk sinjalizon ndonjë ndryshim në status quo, mirëpo synon të garantojë që secili vendim për të ardhmen e urës bëhet mbi baza të të dhënave të sakta dhe objektive”.

    “BE-ja është duke u koordinuar nga afër me partnerët ndërkombëtarë në Kosovë sa i përket të ardhmes së urës”, është thënë mes tjerash në përgjigje.

    Verën e kaluar, Qeveria e Kosovës pati paralajmëruar se ajo mund të hapet për trafik – gjë që i ka rritur tensionet dhe shkaktoi reagime nga bashkësia ndërkombëtare.

    Kryeministri në detyrë, Kurti ka deklaruar se Qeveria e tij nuk do të heqë kurrë dorë nga hapja e urës kryesore.

    Pjesëtarë të komunitetit serb nga Mitrovica e Veriut i kanë thënë më herët Radios Evropa e Lirë se hapja e urës kryesore vetëm se do t’i rriste tensionet në terren, ndërsa shqiptarët nga Mitrovica e Jugut besojnë se një veprim i tillë do të kontribuonte në bashkëjetesë dhe liri të lëvizjes.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!