Kryetarja e Komisionit Qendror Zgjedhor, Valdete Daka ka deklaruar se nga zyra për regjistrimin e partive politike vite më parë ka pranuar kërkesën e partisë së Ashkalinjëve ku kandidati për deputet ishte edhe Etem Arifi.
Aty dorëzohet edhe formulari për aplikim dhe Arifi ka dorëzuar një të tillë, ku deklaroi dhe vërtetoi se kandidatura është në përputhshmëri të plotë me ligjin për zgjedhje.
“KQZ-ja nuk guxon të dezirtifikojë apo mos të certifikojë një kandidat nëse në aktvendim nuk ceket decidivisht që është marrë e drejta për të kandiduar, në të kundërtën KQZ-ja do të bënte shkelje të Kushtetutës. KQZ-ja deri në vitin 2017 ka pasur obligim që të kontrollojë përshtatshmërinë e kandidatëve për asamble apo Kuvendin e Kosovës. Pas marrjes së vendimit të Supremes, KQZ-ja është urdhëruar të certifikojë dhe ka ndaluar këtë praktikë të kontrollës. Neve nuk na është lejuar ta zbatojmë kontrollën. Kështu është kandiduar Arifi dhe KQZ-ja e ka certifikuar”, u shpreh Daka.
Ajo shtoi se vetëm nëse do të ishte hasur në vendim gjyqësorë në emrin e aplikimit, atëherë do të mos-certifikohej ndonjë kandidat nga cilido subjekt politik.
Daka shtoi se në zgjedhjet e 2017-ës, janë marrë parasysh edhe vendimet e Gjykatës Supreme të Kosovës, ku thuhet se nëse analizohet me vëmendje askujt s’mund t’i mohohet e drejta për të aplikuar në zgjedhje, përpos nëse është ndaluar me vendim gjyqësore e ku do të duhej të ishte shpallur fajtor në të kaluarën./Reporteri.net/.