×
  • Lajme
  • Lajme

    Varroset 23-vjeçari që u vra mbrëmë në Mitrovicë

    Reporteri
    13 Shkurt 2021 | 17:28

    23-vjeçari, Mehmet Kurti, i cili mbeti i vrarë mbrëmjen e së premtes në vendin e tij të punës, është varrosur sot në fshatin Vllahi të Mitrovicës.


    Gazeta Online “Reporteri.net” ka siguruar pamje nga ceremonia mortore, ku shihet se kanë qenë të pranishëm një numër i madh i qytetarëve.

    Sipas njoftimit të Policisë, dy persona kanë shtënë me armë zjarri në drejtim të tre personave të tjerë, e ku si pasojë e plagëve të marra, i riu ka humbur jetën.

    Lidhur me këtë rast, për Gazetën Online “Reporteri.net” kanë dhënë detaje nga Prokuroria Themelore në Mitrovicë.

    Zëdhënësi i këtij institucioni, Valon Preteni tha se nuk dihen arsyet e vrasjes ndëra të dyshuarit janë në arrati.

    “Mund të konfirmojmë që pas të shtënave me armë zjarri në rrugën ‘Bislim Bajgora’ (afër ETC), një person i gjinisë mashkullore ka mbetur i vrarë, ndërkaq dy persona tjerë të plagosur janë dërguar për trajtim në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK). Trupi i personit të vrarë me urdhër të prokurorit është dërguar për autopsi në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë. Për momentin nuk dihen motivet e këtij rasti, Prokuroria Themelore e Mitrovicës në koordinim me policinë janë duke e hetuar këtë ngjarje”, ka thënë Preteni për Reporteri.net.

    Ndërsa zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti, mbrëmë konfirmoi për Reporterin vrasjen e 23-vjeçarit.

    “Sonte rreth orës 22:20, policia ka marrë informacion për të shtëna me arme zjarri në rrugën ‘Bislim Bajgora’ në Mitrovicë. Menjëherë pas marrjes së këtij informacioni në vendin e ngjarjes kanë dalë të gjitha njësitet e nevojshme policore, të mbështetura edhe nga njësiti rajonal për hetimin e krimeve si dhe njësitë e tjera për ekzaminim të vendngjarjes. Bazuar në të dhënat fillestare, nga arma e zjarrit janë plagosur tre persona, si pasojë njëri nga te plagosurit i moshës 23 vjeçare ka vdekur, vdekjen e të cilit e ka konstatuar mjeku, ndërsa dy të plagosurit tjerë janë dërguar në QKUK për trajtim te mëtejmë mjekësor”, tha Zahiti.

    /Reporteri.net

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!