Sot, në ditën e dytë të gjyqit, mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi pritet të nisë deklaratat hyrëse për rastin e ngritur nga Zyra e Prokurorit të Specializuar.
Seanca tashmë ka filluar dhe mbrojtja e të akuzuarve do të thotë fjalën e saj.
Bazuar në kalendarin e Dhomave të Specializuara, seancat në rastin “Thaçi e të tjerët” do të vazhdojnë edhe me 5 prill, pastaj me 11, 12, 13 dhe 17, 18, 19 e 20 prill.
Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, dhe tre bashkëpunëtorë të tij të kohës së luftës, Kadri Veseli, Jakup Krasniqi dhe Rexhep Selimi, kanë dalë më 3 prill para Gjykatës Speciale në Hagë, për t’u gjykuar për akuzat që i lidhin me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.
Ata dyshohen për vrasje të serbëve, romëve dhe kundërshtarëve të tjerë në luftën e viteve 1998/99 në Kosovë.
Krimet e supozuara përfshijnë: vrasje, torturë dhe zhdukje me forcë, dhe janë kryer në disa qytete të Kosovës dhe në disa zona të veri të Shqipërisë.
Të katërtit, ish-udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, janë deklaruar të pafajshëm.