×
  • Lajme
  • Lajme / 11:00

    Vazhdon ngërçi, nesër përpjekja e 23’të për konstituimin e Kuvendit

    Reporteri
    28 Maj 2025 | 22:43

    Nesër do të bëhet përpjekja e 23’të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. E propozuara e Vetëvendosjes për Kryetare Kuvendi, vazhdon të mbetet Albulena Haxhiu. Edhe nesër, pritet të vazhdohet përpjekja për ta ndryshuar formën e votimit për zgjedhjen e saj, në mënyrë të fshehtë, shkruan Reporteri.net.

    Deputetët do të mblidhen sërish nesër në 11:00, në një përpjekje të re për ta konstituar Kuvendin. Deri tani, nuk ka ndonjë sinjal se në seancën e nesërme mund të ndryshojë diçka.

    Seanca e së martës, ashtu sikurse edhe të kaluarat, dështoi meqë nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit me votim të fshehtë. PDK, LDK, Lista serbe dhe AAK-Nisma, nuk kanë propozuar deputetë për anëtarë të këtij komisioni.

    Në mungesë të kuorumit, Kryesuesi Avni Dehari e ndërpreu seancën.

    E propozuara për kryetare të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, pas dështimit të seancë të së martës, ka insistuar se duhet të vazhdohet me votimin e fshehtë për zgjedhjen e saj.

    “Nuk e di edhe sa herë duhet ta paraqesim qëndrimin e VV-së. Siç e kemi thënë në vazhdimësi të drejtën për të propozuar e ka partia e parë. Ajo çfarë duhet është që deputetë të marrin pjesë në votim, të votojnë komisionin për votimin e fshehtë, qoftë për, kundër apo abstenim por jo të mos marrin pjesë në votim. Këtu shtrohet pyetja se për çfarë po vijnë. Pra është e rëndësishme që ky komision të formohet për ta bërë votimin e fshehtë. Po ashtu siç e dini tashmë ka një lëndë kushtetuese, duke pasë parasysh urgjencën shpresojmë që Kushtetuesja ta thotë sa më parë fjalën për këtë. Ne i kemi dërguar komentet tona”, ka deklaruar Haxhiu.

    Deri më tani, deputetët kanë kaluar vetëm dy pika të agjendës së seancës konstituive: raportin e Komisionit të përkohshëm për verifikimin e mandateve dhe atë të betimit të deputetëve.

    Por, procesi ka ngecur te pika e tretë: zgjedhja e kryeparlamentarit.

    Haxhiu e LVV-së po konsiderohet si figurë përçarëse nga PDK-ja dhe AAK-ja.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!