×
  • Lajme
  • Lajme
    INSTANT

    Vdekja e 27-vjeçarit, Deliu-Kodra: Institucionet përgjegjëse qe dy ditë në heshtje

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 11:08

    Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra para vazhdimit të seancës konstituive në Kuvend, ka folur edhe për rastin e 27-vjeçarit në Lipjan, gjë për të cilën ajo tha se Prokuropria dhe institucionet tjera përkatëse duhet të marrin masa, shkruan Reporteri.net.

    Ajo tha se situata e sigurisë në Kosovë duhet të trajtohet me seriozitet dhe ajo çfarë ka ndodhur është një akt shumë i rëndë.

    “Të zbardhen detajet e rastit. Situata e sigurisë në Kosovë duhet të trajtohet me seriozitet të plotë. Është akt shumë i rëndë, dhe institucionet përgjegjëse kanë ngelur dy ditë në heshtje. Përgjegjësit duhet të ofrojnë përgjegjësi”

    “Prokuroria besoj që së shpejti do t’i japë informatat. Policia e Kosovës për vite të tëra ka qenë institucion me besueshmërinë më të lartë, pavarësisht kësaj besoj që në PK ka djem e vajza që me përgjegjësi e kryejnë punën e tyre. Përgjegjësia duhet të jetë individuale dhe përgjegjësit në secilin rast duhet të marrin përgjegjësi që të mos kemi rënie të besueshmërisë”, shtoi deputetja e PDK-së.

    /Reporteri.net/

    Këta janë tre nga pesë policët e arrestuar për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 13:52

    Pesë zyrtarë të Policisë së Kosovës u paraqitën sot para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan. Ata dyshohet se e kanë vrarë “nga pakujdesia” një 27-vjeçar më 7 korrik pas mesnate në qendër të qytetit.

    Emrat e të arrestuarve janë Ibrahim Nela, rreshter në Stacionin Policor Lipjan, Liridon Rrahmani, Artidon Konxheli dhe Albian Raktoceri, zyrtarë policorë të stacionin në Lipjan, si dhe Endrit Beqiri, zyrtar në stacionin policor Ferizaj.

    Gjyqtari i procedurës paraprake pritet të vendosë për kërkesën e Prokurorit të Shtetit, nëse do t’i çojë në paraburgim zyrtarët policorë, apo do t’ua caktojë një masë alternative.

    Në seancë, nuk u lejua të merrte pjesë avokati i familjes e as mediat.

    Fotografitë e disa prej policëve të prangosur tashmë janë publikuar.

    Përfundon seanca dëgjimore ndaj pesë policëve të dyshuar për vrasje nga pakujdesia të 27 vjeçarit në Lipjan

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 13:49

    Një rreshter dhe katër zyrtarë policorë, të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në natën mes 6 dhe 7 korrikut, kanë dalë para Gjykatës Themelore të Prishtinës, dega në Lipjan.

    Seanca dëgjimore tashmë ka përfunduar dhe Gjykata pritet të marrë vendim rreth kërkesës së Prokurorisë për paraburgim, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Rasti që ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan ka ngjallur reagime të shumta në vend dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.

    Pesë zyrtarët policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve të dyshuar. /Reporteri.net/

     

    Vazhdon seanca dëgjimore ndaj pesë policëve që dyshohen për vrasje nga pakujdesia të 27 vjeçarit Agon Zejnullahu

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 13:33

    Një rreshter dhe katër zyrtarë policorë, të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në natën mes 6 dhe 7 korrikut, kanë dalë para Gjykatës Themelore e Prishtinës, dega në Lipjan.

    Seanca dëgjimore është duke vazhduar ende, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Rasti që ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan ka ngjallur reagime të shumta në vend dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.

    Pesë zyrtarët policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve të dyshuar.

    /Reporteri.net/

    Vdekja e të riut në duart e shtetit, PDK kërkon dorëheqjen e Sveçlës

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 11:42

    Partia Demokratike e Kosovës ka kërkuar dorëheqjen e minstrit të Punëve të Brendshme në detyrë, Xhelal Sveçla pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e policisë së Kosovës. 

    Deputeti i kësaj partie, Përparim Gruda nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, ku për të 44-tën herë dështoi konstituimi i Kuvendit tha se dorëheqja e Sveçlës duhet të vie si akt moral i përgjegjësisë politike dhe ligjore, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Me këtë rast kërkoj përgjegjësi nga organet e shtetit për zbardhjen deri në fund të të vërtetës së kësaj ngajrjeje tragjike që na ka tronditur të gjithëve. Në emër të PDK-së kërkoj dorëheqjen e ministrit të Punëve të Brendshme si një akt i padiskutueshëm moral i përgjegjësisë politike e ligjore.”, tha ai.

    Gruuda në emër të PDK-së i ka shprehur ngushëllime familjes Zejnullahu.

    Musliu: Kriteret kanë rënë përtokë, sot në Policinë e Kosovës hyn kushdo

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 11:20

    Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu ka thënë se sot do të duhej të thirreshin në përgjegjësi komplet zingjiri komandues policor për rastin e vdekjes së 27 vjeçarit në Lipjan.

    Musliu tha para mediave se kriteret për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës kanë rënë “përtokë” dhe tani aty hyn kushdo që mundet, pa trajnimet e nevojshme.

    2Sjellja ishte e papranueshme, ishte një pamje që unë ende nuk jam qetësu qe tri ditë që e kam pa, mirëpo këtu nuk është vetëm një faktor që ndikon, por ka shumë faktorë. E kam thënë që ka hupë morali dhe karakteri i policëve dhe ushtarëve në Kosovë. Sot kriteret janë përtokë hyn kushdo në polici, pak kry naj trajnim adekuat e test të madh psikologji. Sot është dashur me u thirrë në përgjegjësi komplet zgjiri komandues policor sepse ky nuk është rasti i vetëm. Sjellja e policisë ka degradu dhe mu më vjen keq sepse kemi shumë djem e vajza të mira në polici”, ka thënë Musliu para mediave. /Reporteri.net/

    Limaj kërkon përgjegjësi për vdekjen në duart e shtetit të Agon Zejnullahut

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 11:19

    Kryetari i NISMA’s Socialdemokrate, Fatmir Limaj ka folur për vdekjen në duart e Policisë së Kosovës të 27-vjeçarit, Agon Zejnullahu të hënën në Lipjan.

    Limaj tha se drejtuesit e Policisë duhet të japin përgjegjësi dhe se ngjarja të hetohet.

    “Është një rast që nuk ka qenë dashtë të ndodhë kurrë në Kosovë. Policia e shtetit është për t’i mbrojtur qytetarët. Dallimi në mes të policit të shtetit dhe atij që është në shkelje të ligjit është ky: Polici i shtetit edhe ndaj atij që është në shkelje të ligjit, duhet të veprojë me ligj. Natyrisht që duhet të merret përgjegjësi. Unë pres përgjegjësi nga lart-poshtë. Ndoshta është një moment që duhet të shikohet gjendja në Polici. Ka plot djem e vajza që na nderojnë, ama kjo nuk na ndalon të themi se ka plotë elemente, individë brenda Policisë që duhet të rishikohen mirë a janë për atë vend. Ngjarja ka ndodhur në duart e njerëzve të shtetit dhe kjo duhet të trajtohet.”, tha ai.

    “Pa drejtësi, s’ka qetësi”, aksioni simbolik i AVONET te Gjykata në Lipjan

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 11:12

    Rrjeti i organizatave joqeveritare AVONET, ka realizuar një aksion simbolik te Dega e Gjykatës Themelore të Prishtinës në Lipjan, për rastin e vdekjes së 27 vjeçarit Agon Zejnullahu.

    “Pa drejtësi s’ka qetësi”, shkruan në afishet e vendosura në dyert e kësaj gjykate.

    Me anë të këtij aksioni, po kërkohet drejtësia në këtë rast i cili ka ngjallur reagime të ashpra.

    Derisa sot, në këtë gjykatë po mbahet edhe seanca ndaj pesë policëve të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia”

    Seanca për masën e sigurisë ndaj 5 policëve, gazetarët lihen jashtë rrethojave të objektit të Gjykatës në Lipjan

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 11:01

    Kanë arritur në Gjykatë pesë policët e arrestuar të cilët dyshohen për vrasje nga pakujdesia të 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan.

    Gazetarët  që ndodhen për të raportuar  për rastin po lihen jashtë rrethojave të objektit të Gjykatës Themelore – dega në Lipjan, ku pritet të mbahet seanca dëgjimore ndaj pesë të akuzuarve shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Aty nuk po u lejohet të vazhdojnë tutje, ndërsa aty janë duke u larguar edhe veturat.

    Pak më parë edhe avokati i familjes së Agon Zejnullahut, Asdren Hoxha ka thënë se nuk i është lejuar pjesëmarrja në seancën dëgjimore ndaj pesë policëve të përfshirë në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan.

    “Gjyqtarja e procedurës paraprake çuditërisht me refuzoi me marrë pjesë në seancë dhe me mbet i informuar si përfaqësues i palës së dëmtuar. Insistova disa herë, por çasje ishte e tillë që nuk duhet me marrë pjesë. Kodi i procedurës penale e parasheh nenin 63, të drejtat e të dëmtuarit, dhe nenin 64.

    “U refuzuam dhe kjo është për keqardhje”, tha ai.

    Kurti flet për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut – Kërkon zbardhje të rastit, përmend edhe një “antifushatë” ndaj Policisë

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 10:43

    Kryeministri në detyrë, Albin Kurti  i ka shprehur ngushëllime familjes së Agon Zejnullahut që vdiq në duart e Policisë së Kosovës të hënën në Lipjan.  Ai ka kërkuar hetim profesional nga institucionet.

    Ai ka kërkuar hetim të shpejtë e të thellë në mënyrë që të zbardhet e vërteta e plotë, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Lajmi për vdekjen e tij na ka tronditur të gjithëve. Shumëçka prej asaj që ka ndodhur në mesnatën e 7 korrikut tashmë është publike dhe falë incizimeve të dëshmitarëve por për të kuptuar gjithçka çfarë ka ndodhur duhet hetim profesional nga institucionet. Për këtë bashkëpunimi ndërmjet Policisë së Kosovës, IPK-së, IML-së dhe Prokurorisë është thelbësor. Pesë zyrtarë policor tanimë janë në paraburgim. Unë kërkoj dhe pres hetim të thellë e sa më të shpejtë, që zbardhë të vërtetën e plotë dhe i bënë të njohura të gjitha rrethanat ashtu që të vendoset drejtësia dhe të arrihet llogaridhënia.”, u shpreh ai.

    Kurti tha se në institucionet e Kosovë nuk ka vend për ata që shkelin ligjin gjatë detyrës zyrtare.

    “Dua ta bëjë të qartë se nuk do të ketë strehë në institucione apo nga institucionet  për këdo që mund të ketë kaluar kompetencat apo të ketë shkelur ligjin gjatë detyrës zyrtare. Shërbimi në uniformë është fisnikëri, autoriteti i veshur me uniform është përgjegjësi. Diskutimet publike që po bëhen dhe gjykimet publike që po bëhen janë të vështira për familjen  Zejnullahu. Në të njëjtën kohë tendenca që të nis një antufushatë ndaj policisë është e dëmshme dhe nuk është zgjidhje. Thirrjet për drejtësi dhe përgjegjësi janë të drejta.”, tha Kurti.

    Avokati i familjes së 27-vjeçarit s’lejohet të marrë pjesë në seancën dëgjimore ndaj pesë policëve

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 10:34

    Avokati i familjes së Agon Zejzullahut, Asdren Hoxha ka thënë se nuk i është lejuar pjesëmarrja në seancën dëgjimore ndaj pesë policëve të përfshirë në rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan, shkruan Reporteri.net.

    “Gjyqtarja e procedurës paraprake çuditërisht me refuzoi me marrë pjesë në seancë dhe me mbet i informuar si përfaqësues i palës së dëmtuar. Insistova disa herë, por çasje ishte e tillë që nuk duhet me marrë pjesë. Kodi i procedurës penale e parasheh nenin 63, të drejtat e të dëmtuarit, dhe nenin 64.

    “U refuzuam dhe kjo është për keqardhje”, shtoi tutje ai.

    /Reporteri.net/

    Pesë policët që dyshohen për vrasje nga pakujdesia të 27 vjeçarit në Lipjan dalin para gjykatës

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 10:28

    Një rreshter dhe katër zyrtarë policorë, të dyshuar për vrasjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në natën mes 6 dhe 7 korrikut, kanë mbërritur në gjykatën në Lipjan.

    Rasti që ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan ka ngjallur reagime të shumta në vend dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.

    Pesë zyrtarët policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve të dyshuar. /Reporteri.net/

    Sot dalin para gjykatës pesë policët e dyshuar për “vrasje nga pakujdesia” të 27 vjeçarit në Lipjan

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 7:36

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan, sot pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Avokati i familjes Zejnullahu, Asdren Hoxha, ka thënë mbrëmë se seanca do të mbahet në ora 10:30, në degën e Gjykatës në Lipjan.

    Rasti që ndodhi në orët e para të 7 korrikut në Lipjan ka ngjallur reagime të shumta në vend dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.

    Policia tha se i ndjeri, i cili u identifikua më vonë si Agon Zejnullahu, dyshohet se ishte nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur u ndalua nga autoritetet e rendit.

    Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve të dyshuar.

    Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast.

    Agon Zejnullahu, vëllai i të ndjerit ka thënë mbrëmë se viktima kishte shenja dhune me mbi 20 plagë në trup.

    “Mbi 20 plagë mbi trupin e tij, te brinjët ka qenë i mavijosur, ka pasur lëndim të theksuar në ballë, vetullën e çarë, te këmbët komplet të lënduara, te krahët mishi jashtë ka qenë, në çdo pjesë të trupit ka pasur lëndime”, tha vëllai i 27-vjeçarit./Reporteri.net/

    Pamje tjera, momenti kur Agon Zejnullahu del nga vetura me duar pas kokës, policët i gjuhen sipër

    Reporteri
    09 Korrik 2025 | 0:01

    Janë publikuar pamje të tjera të momentit kur Agon Zejnullahu del nga vetura me duar pas kokës, ndërsa policët i gjuhën sipër.

    27-vjeçari vdiq të hënën në Lipjan, pasi është ndaluar nga zyrtarët policorë.

    Pamjet e reja janë publikuar nga faqja në Facebook “Lipjan City”.

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, nesër pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.

    “Brinjë të mavijosura, vetull e çarë dhe lëndime të rënda në krah”, vëllai tregon për gjendjen e trupit të Agon Zejnullahut

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 22:58

    Vëllai i Agon Zejnullahut ka rrëfyer me lot në sy për gjendjen e trupit të të ndjerit, të cilin familjarët e panë pas vdekjes.

    Sipas tij, shenjat e dhunës ishin të dukshme dhe se kishte mbi 20 plagë.

    Ai në  në T7 tha se të dy brinjët kanë qenë krejtësisht të mavijosura.

    “Mbi 20 plagë mbi trupin e tij, te brinjët ka qenë i mavijosur, ka pasur lëndim të theksuar në ballë, vetullën e çarë, te këmbët komplet të lënduara, te krahët mishi jashtë ka qenë, në çdo pjesë të trupit ka pasur lëndime”, tha vëllai i 27-vjeçarit.

    Grafite proteste në Lipjan pas vdekjes në duart e Policisë të Agon Zejnullahut: “Policia të vret”, “Kush na mbron prej Policisë?

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 22:57

    Pas vdekjes së 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në duart e Policisë së Kosovës, muret e stacionit policor në Lipjan janë mbushur me grafite proteste, që shprehin revoltën dhe shqetësimin e qytetarëve.

    “Policia e Kosovës të ndrydh derisa të vret”, “Policia i ka duart me gjak”, “Policia të vret”, dhe “Kush na mbron prej Policisë?” janë disa nga mbishkrimet që janë shkruar nga Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist në ndërtesën e policisë.

    “Parëmbrëmë, disa policë e arrestuan dhunshëm dhe e vranë Agon Zejnullahun në mes të Lipjanit. Brutaliteti policor që e la pa frymë Agonin nuk ishte shpërdorim i izoluar i forcës dhe pushtetit, por një normë e cila e përshkon raportin që institucioni i policisë ka krijuar me civilët/et. Brutaliteti është qenësor në ekzistencën dhe funksionin e policisë. Ndërveprimi përmes dhunës, frikësimit, dehumanizimit, shqetësimit e tentativës për kontroll është rutinore për shumë prej nesh që ndeshemi me këtë institucion.”, thuhet në njoftimin e tyre.

    Sipas tyre ekspozimi tronditës i kësaj dhune “që la të vrarë Agon Zejnullahun përveç që pahëson natyrën e dhunshme të policisë, është edhe një moment kritik për ndërgjegjen kolektive”

    “Vrasja e tij, tashmë e regjistruar edhe vizualisht në kujtesën tonë, duhet të na bëjë të lëvizim, të organizohemi dhe t’i kundërvihemi dhunës e cila asnjëherë nuk është e rastësishme dhe e izoluar. Thërrasim në mobilizim shoqëror për siguri të gjithësecilës e secilit prej nesh, dhe për të kërkuar drejtësi post-mortum për Agonin.” bëhet thirrje tutje.

    “Oj nanë… lshomni, nuk po muj ma” vëllai i Agonit tregon se cilat ishin fjalët e fundit të tij

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 21:42

    Agon Zejnullahu para se të vdiste kishte kërkuar nga policët ta lëshonin duke thënë “s’po muj ma”.

    Kështu rrëfeu në T7,  vëllai i Agonit, Albani.

    Ai tha se fjalët e fundit të vëllait të ndjerë ishin:

    “Disa nga fjalët e tij janë, lëshomni, çka jeni t’u më ba. S’po muj ma dhe bërtet në fund oj nanë”, tha mes lotësh Albani.

    Avokati i njërit prej policëve të arrestuar: Agon Zejnullahu nuk ka vdekur nga veprimet e zyrtarëve policorë

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 21:13

    Pas arrestimit dhe caktimit të masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë të përfshirë në rastin që përfundoi me vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu në Lipjan, njëri nga avokatët mbrojtës, Urim Vokshi, ka dhënë një version tjetër të ngjarjes.

    Në një deklaratë për  rtv Dukagjini, Vokshi mohoi se vdekja e Zejnullahut ka ardhur si rezultat i veprimeve të zyrtarëve policorë dhe theksoi se viktima kishte sjellje agresive si ndaj qytetarëve ashtu edhe ndaj policisë, pa ndonjë arsye të qartë.

    “Përveç që ka sulmuar shumë qytetarë, ka sulmuar edhe policinë, pa qenë i preokupuar, pa pasur asnjë arsye. Edhe derisa policia ishte duke vozitur veturën, ai reagonte me sprej. Kur ndalet vetura, ai përsëri tenton ta sulmojë policinë,” tha Vokshi.

    Ai shtoi se pas incidentit fillestar, Zejnullahu ishte futur vetë në veturën e policisë dhe kishte qëndruar aty për më shumë se tetë minuta, pa ndonjë dhunë apo presion nga zyrtarët policorë.

    “Sipas deklaratave të policëve, ata vetëm kanë biseduar me të dhe i kanë thënë se autoambulanca ishte në rrugë. Duket se i ndjeri ka qenë nën ndikimin e substancave të caktuara. Më pas, ai del vetë nga vetura dhe tenton të ikë. Zyrtarët e ndalojnë për ta prangosur dhe qëndrojnë mbi të vetëm për kohën sa po e prangonin. Nuk ka pasur presion të zgjatur,” ka deklaruar Vokshi.

    Ai përfundoi se sipas tij, Agon Zejnullahu nuk ka ndërruar jetë si pasojë e veprimeve të policisë.

    Rasti ka shkaktuar reagime të shumta në opinion, me thirrje për transparencë të plotë, ndërsa institucionet janë duke zhvilluar hetimet për të sqaruar rrethanat e vdekjes së të riut.

    Pesë policët e dyshuar për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut nesër dalin para gjyqit për masë të sigurisë

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 21:10

    Në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, të mërkurën pritet të mbahet seanca dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj pesë zyrtarëve policorë të cilët gjenden nën masën e ndalimit si të dyshuar për “Vrasje nga pakujdesia” të të riut Agon Zejnullahu në Lipjan.

    Kështu konfirmoi për “Betimi për Drejtësi“, Mirlinda Gashi, zëdhënëse e Gjykatës Themelore në Prishtinë.

    “Ju njoftojmë se Gjykata Themelore në Prishtinë – Dega në Lipjan sot ka pranuar kërkesën për caktim të masës së paraburgimit në çështjen penale ndaj pesë të pandehurve. Seanca dëgjimore është caktuar të mbahet nesër me datë 09.07.2025 në ora 10:30”, thuhet në përgjigje.

    Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë ka paraqitur kërkesë në Gjykatën Themelore në Prishtinë- Dega në Lipjan, për caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë zyrtarëve policorë.

    I riu në Lipjan vdiq në orët e para të së hënës (7 korrik) pasi u arrestua nga policia nën dyshimin se në gjendje të dehur po sulmonte automjete e kalimtarë. Lidhur me rastin, pesë zyrtarë policorë janë ndaluar për 48 orë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, ndërkaq Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e tyre.

    Avokati i Popullit ka njoftuar se ka nisur hetimet për të vlerësuar nëse ka pasur shkelje të të drejtave të njeriut në këtë rast.

    Për rastin reagoi edhe ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, cili ka thënë se kushdo që rezulton fajtor për vdekjen e të riut në Lipjan i cili ndërroi jetë pas arrestimit, duke të marrë dënimin e merituar.

    Kurse, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka thënë se dje (e hënë) është kryer autopsia e të ndjerit Agon Zejnullahu, por që raporti preliminar i këtij rasti ende nuk është dërguar nga Instituti i Mjekësisë Ligjore.

    Haradinaj reagon pas vdekjes së 27-vjeçarit në duart e Policisë: E paskeni vrarë me gjakftohtësi

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 20:57

    Rasti i vdekjes së një të riu 27-vjeçar në Lipjan, i cili ndërroi jetë gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës, po vazhdon të ngjallë reagime të forta në opinion dhe në radhët e politikës.

    Derisa hetimet janë duke u zhvilluar për të sqaruar rrethanat e ngjarjes, përflitet se shkak i mundshëm i vdekjes mund të ketë qenë ngufatja, megjithëse kjo nuk është konfirmuar zyrtarisht.

    Lidhur me rastin ka reaguar edhe deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Daut Haradinaj, i cili ka ndarë një reagim të shkurtër dhe të ashpër pas shikimit të pamjeve nga momenti i ndërhyrjes policore.

    “I pashë pamjet e fundit! E paskeni vrarë me gjakftohtësi djalin 27-vjeçar. S’kam koment,” ka shkruar Haradinaj.

    Pesë zyrtarë policorë të përfshirë në këtë rast janë ndaluar për 48 orë, ndërsa Inspektorati Policor i Kosovës, bashkë me Prokurorinë, po zhvillojnë hetimet për të zbardhur në detaje shkaqet e vdekjes së të riut.

    Ngjarja ka nxitur reagime të shumta në publik dhe thirrje për transparencë, përgjegjësi institucionale dhe hetim të pavarur.

    “Vrasja nga pakujdesia” e 27-vjeçarit në Lipjan, Hykmete Bajrami: Të zhvillohet hetimi pa vonesë

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 20:39

    Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrmai, ka shprehur ngushëllime për vdekjen e 27-vjeçarit Agon Zejnullahu.

    Ajo ka thënë se është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa vonesë.

    Zejnuallahu vdiq pasi paraprakisht ishte në duart e Policisë së Kosovës.

    “Shpreh ngushëllimet më të sinqerta për familjen Zejnullahu dhe për gjithë qytetarët e Kosovës për vdekjen e Agonit! Prokuroria dhe Inspektorati Policor duhet ta hetojnë plotësisht këtë rast – të gjitha rrethanat dhe pistat e mundshme, dhe të ndriçojnë deri në detaje rastin e vdekjes së 27-vjeçarit. Është thelbësore që hetimi të zhvillohet pa asnjë vonesë”.

    “Policia e Kosovës dhe Inspektorati Policor, duhet të garantojnë zbatimin e standardeve profesionale dhe respektimin e ligjit në çdo rast të ndalimit apo trajtimit të qytetarëve. Përveç përgjegjësisë individuale, duhet të ketë edhe përgjegjësi politike, deri te deputeti Kurti, i cili vazhdon të mbajë pozitën e kryeministrit në kundërshtim me ligjin. Ne kemi përkrahur dhe do të përkrahim kërkesat e ligjshme të Policisë së Kosovës për kushte më të mira pune dhe mbështetje institucionale, por njëkohësisht do të kërkojmë llogari dhe zbatim të ligjit”, ka thënë Bajrami.

    Familjarë e qytetarë ndezin qirinj në Prishtinë për 27 vjeçarin që dyshohet se u vra nga dhuna policore

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 20:29

    Me lot në sy, dhimbje në zemër dhe fotografinë e tij në duar, familjarë, miq dhe qytetarë të shumtë janë mbledhur mbrëmjen e së martës para Teatrit Kombëtar të Kosovës për të nderuar kujtimin e Agon Zejnullahut, 27-vjeçarit nga Lipjani që vdiq në duart e Policisë së Kosovës. 

    Në heshtje, me qirinj të ndezur  të pranishmit i dhanë zë dhe fytyrë dhimbjes së një familjeje dhe një shoqërie që kërkon përgjegjësi për dhunën policore, shkruan Reporteri.net.

    Agon Zejnullahu vdiq në duart e policëve të Kosovës të hënën në Lipjan.

    Tashmë ndaj 5 policëve të dyshuar për vrasjen nga pakujdesia është kërkuar caktimi i masës së paraburgimit, pas arrestimit të tyre dje.

    Minutat e fundit të jetës së Agon Zejnullahut, kështu e ngufatën policët 27-vjeçarin në Lipjan

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 20:11

    Agon Zejnullahu, 27 vjeçar nga Lipjani, vdiq në duart e Policisë së Kosovës. Tashmë janë publikuar edhe pamje të reja të minutave të fundit të jetës së tij në duart e pesë zyrtarëve policor të Kosovës.

    Nga pamjet duket i riu është ngufatur nga Policët, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Në videon e publikuar nga T7 shihet se policët kanë përdorur dhunë jo proporcionale duke ia vendosur edhe  gjunjët në qafë viktimës.

    Policia del edhe me një version për “vrasjen nga pakujdesia” të 27-vjeçarit nga Lipjani: Ishte jo bashkëpunues, tentoi të ikë

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 18:48

    Policia e Kosovës ka reaguar edhe njëherë për “vrasjen nga pakujdesia” të 27-vjeçarit nga Lipjani, Agon Zejnullahu.

    Në komunikatën e Policisë së Kosovës thuhet se zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprej-in policor, sepse sipas tyre, tashmë viktima ishte jobashkëpunes duke tentuar ikjen.

    Gjithsesi, policia konfirmon se njësia emergjente kishte konstatuar vdekjen e tij, pasi autoambulanca ishte thirrur në vendngjarje.

    “Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë.”, thuhet në reagimin e Policisë.

    Në komunikatë, policia thotë: “Sigurojmë të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është në bashkëpunim të ngushtë dhe të plotë me institucionet relevante me qëllim të zbardhjes së plotë të këtij rasti, epilogu i së cilit do të merret pas përfundimit të hetimeve, ekzaminimeve dhe pranimit të raportit të obduksionit nga Mjekësia Ligjore”.

    Komunikata e plotë:

    Me datën 07.07.2025, rreth orës 00:12, Policia e Kosovës ka pranuar informacionin përmes gjashtë thirrjeve telefonike nga qytetarët se një person me sjellje agresive, përmes veprimeve të tij po paraqiste rrezikim të përgjithshëm të kalimtarëve duke i sulmuar ata por dhe të vetes së tij, duke ndjekur automjetet dhe duke tentuar të hynte në to.

    Ngjarja është raportuar se ka ndodhur në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan. Njësitë policore pas pranimit të informacioneve kanë reaguar menjëherë për të ndaluar sulmet dhe rrezikimin e qytetarëve dhe parandaluar përshkallëzim të mëtejmë të situatës.

    Sjelljet e njëjta sipas raportimit të qytetarëve janë shfaqur edhe në prani të zyrtarëve policorë, të cilët me qëllim të vënies së situatës nën kontrollë dhe shoqërimit të tij në stacion policor, për shkak të sjelljeve të pakontrollueshme e të rrezikshme, rezistencës aktive dhe vërsuljes për sulm ndaj zyrtarëve policorë, zyrtarët policorë në vetëmbrojtje janë detyruar të përdorin sprej-in policor.

    Para arrestimit të personit, zyrtarët policorë kanë komunikuar dhe negociuar me të njëjtin për 5-6 minuta, me qëllim të bindjes së tij për shoqërim në stacion policor. Po ashtu gjatë kësaj kohe mbikëqyrësi i ndërrimit ka telefonuar ndihmën e shpejtë për ti ofruar ndihmë mjekësore personit, pasi gjatë gjithë kohës ka vërejtur gjendjen e tij shëndetësore dhe psikologjike. Në këtë rrjedhë, i njëjti ka qenë jo bashkëpunues dhe ka tentuar të ikë, por zyrtarët policorë kanë arritur ta arrestojnë.

    Autoambulanca me ekipin mjekësor emergjent, kanë arritur në vendin e ngjarjes brenda një kohe shumë të shpejtë (3 min), për ti dhënë ndihmën e parë personit në fjalë, ku më pas njësia emergjente ka konstatuar vdekjen e tij.

    Në vendngjarje te personi janë gjetur në posedim gjësende personale dhe substancë pluhur që dyshohet të jetë narkotike, e cila është dërguar për ekzaminim.

    Sipas procedurave të parapara ligjore, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante hetimore, Prokurori për krime të rënda si dhe Inspektorati Policor i Kosovës.

    Policia e Kosovës, në bashkëpunim dhe koordinim me institucionet kompetente, ka ndërmarrë të gjitha veprimet hetimore për ndriçimin e rastit, përfshirë sigurimin e provave materiale dhe intervistimin e dëshmitarëve. Të gjitha provat e siguruara përfshirë edhe pamjet e kamerave që ndihmojnë në zbardhjen e rastit janë ndarë me institucionet relevante, respektivisht me Inspektoratin Policor dhe Prokurorinë.

    Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar hetim penal lidhur me rastin, ndërsa trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.

    Me rekomandim të IPK-së janë suspenduar katër zyrtarë policorë dhe një rreshter, të cilët pas intervistimit me vendim të prokurorit, dhe ri cilësimit të veprës, janë dërguar në mbajtje.

    Sigurojmë të gjithë qytetarët se Policia e Kosovës është në bashkëpunim të ngushtë dhe të plotë me institucionet relevante me qëllim të zbardhjes së plotë të këtij rasti, epilogu i së cilit do të merret pas përfundimit të hetimeve, ekzaminimeve dhe pranimit të raportit të obduksionit nga Mjekësia Ligjore.

    Policia e Kosovës është në shërbim të qytetarëve me të gjitha kapacitetet, detyrat dhe obligimet ligjore që ka.

    Presidentja Osmani reagon për “vrasjen nga pakujdesia” të 27-vjeçarit: Transparencë, përgjegjësi dhe drejtësi pa kompromis

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 18:17

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar lidhur me rastin e vdekjes së A.Z. (27 vjeç) nga Lipjani, i cili vdiq në rrethana të dyshimta gjatë ndërhyrjes së Policisë së Kosovës.

    Në reagimin e saj, presidentja Osmani thekson se ky rast kërkon transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    “Ngjarja e rëndë dhe tronditëse e vdekjes së një të riu 27-vjeçar, rreth së cilës ekzistojnë dyshime serioze se ka ndodhur gjatë ndërhyrjes së policisë, kërkon urgjentisht transparencë të plotë, përgjegjësi institucionale dhe drejtësi të pakompromis”, thuhet në reagimin e Osmanit.

    Ajo kërkon që rrethanat e rastit të hetohen në mënyrë të pavarur dhe profesionale.

    “Secili zyrtar që mund të ketë shkelur ligjin apo tejkaluar kompetencat duhet të vihet përpara drejtësisë pa asnjë vonesë. Askush nuk është mbi ligjin”, përfundon reagimi i presidentes.

    Ndryshe, prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve që u arrestuan mbrëmë nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”, lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan.

    Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.

    “Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit e ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, ka deklaruar Shala.

    Policia nuk e ka përfshirë fare në raportin 24 orësh këtë rast.

    Lidhur me vdekjen e të riut, mbrëmë janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë policë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, mirëpo tek raporti i Policisë që u dergohet mediave nuk figuron fare i evidentuar si rast.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve.

    Hetime për rastin ka nisur edhe Avokati i Popullit.

    IML: Ende nuk ka raport preliminar për autopsinë e 27 vjeçarit nga Lipjani

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 17:50

    Institutit i Mjekësisë Ligjore, ka njoftuar nuk ka dalë ende më raport preliminar për autopsinë e 27 vjeçarit nga Lipjani, i cili vdiq në rrethana të dyshimta.

    Nga IML thanë se raporti që ka dalë në media nuk është i vërtetë, duke shtuar se me urdheresë nga Prokuroria e Shtetit, dje në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) është kryer autopsia për të.

    Tutje, bëhet e ditur se, autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës.

    “Autopsia është kryer nga ekipi i udhëhequr nga eksperti mjeko ligjor kujdestar dhe me pjesëmarrjen edhe të zyrtarëve policor të caktuar nga Policia e Kosovës. Ne jemi në kontakt të vazhdueshëm me Prokurorin e Shtetit që e ka rastin dhe jemi duke bërë përpjekje maksimale për të kryer sa më shpejt edhe analizimin histopatologjik dhe toksikologjik të mostrave indore të cilat janë marrë gjatë autopsisë në mënyrë që të hartohet sa më shpejt raporti i autopsisë”, shkruan nga IML.

    Vdekja e 27-vjeçarit, Prokuroria kërkon paraburgim për pesë policët që dyshohen për “vrasje nga pakujdesia”

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 17:39

    Prokuroria Themelore e Prishtinës ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit ndaj pesë policëve që u arrestuan mbrëmë nën dyshimin për “vrasje nga pakujdesia”, lidhur me rastin e vdekjes së 27-vjeçarit në Lipjan. Që nga mbrëmë, ata ndodhen në ndalim.

    Lajmin për Reporteri.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë, Kaltrina Shala.

    “Lidhur me pyetjen tuaj ju njoftojmë, se Prokurori i shtetit e ka bërë kërkesën për caktimin e masës së paraburgimit ndaj të pandehurve”, ka deklaruar Shala.

    Policia nuk e ka përfshirë fare në raportin 24 orësh këtë rast.

    Lidhur me vdekjen e të riut, mbrëmë janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë policë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, mirëpo tek raporti i Policisë që u dergohet mediave nuk figuron fare i evidentuar si rast.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve.

    Hetime për rastin ka nisur edhe Avokati i Popullit.

    Presidentja Vjosa Osmani e as kryeministri në detyrë ende s’kanë reaguar lidhur me rastin./Reporteri.net

    Shefi i EULEX’it kërkon sqarim të plotë të rrethanave rreth vdekjes së 27-vjeçarit

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 16:48

    Shefi i EULEX’it, Giovanni Pietro Barbano, ka reaguar lidhur me rastin e 27-vjeçarit në Lipjan, i cili vdiq në rrethana të dyshimta pas arrestimit nga Policia, rast për të cilin tashmë janë arrestuar pesë policë.

    Barbano ka kërkuar sqarim të plotë të rrethanave të rastit, shkruan Reporteri.net.

    “Marr parasysh fillimin e menjëhershëm të hetimeve nga Inspektorati Policor i Kosovës pas vdekjes së një personi në Lipjan, presim që autoritetet kompetente të sqarojnë plotësisht dhe në mënyrë transparente rrethanat e rastit, duke respektuar plotësisht sundimin e ligjit dhe standardet e të drejtave të njeriut”, ka shkruar Barbano në platformën sociale “x”.

    Policia nuk e ka përfshirë fare në raportin 24 orësh këtë rast.

    Lidhur me vdekjen e të riut, mbrëmë janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë policë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, mirëpo tek raporti i Policisë që u dergohet mediave nuk figuron fare i evidentuar si rast.

    Ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve.

    Lidhur me rastin ka nisur hetime edhe Avokati i Popullit.

    Presidentja Vjosa Osmani e as kryeministri në detyrë ende s’kanë reaguar lidhur me rastin./Reporteri.net

    Dalin pamje të reja, 27-vjeçari “duke dhënë shpirt” u bart për në spital me duar të lidhura pas shpine

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 15:16

    Mediat po vazhdojnë të publikojnë pamje nga momentet e fundit të 27-vjeçarit që vdiq në rrethana të dyshimta në Lipjan, pas arrestimit nga Policia.

    Në pamjet e publikuara sot nga “Paparaci” shihet se i riu u bartë me autoambulancë drejt spitalit me pranga në duart e lidhura pas shpine, shkruan Reporteri.net.

    27-vjeçari dyshohet se vdiq i prangosur disa momente pas arrestimit në rrugën “Haradin Bajrami” në Lipjan, në orën e parë të së hënës.

    Lidhur me rastin janë arrestuar pesë policë, nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”.

    Inspektorati ka rekomanduar suspendimin e të pesë zyrtarëve, një prej të cilëve është rreshter./Reporteri.net

    Policia s’e përfshin në raportin 24 orësh vdekjen e 27-vjeçarit dhe arrestimin e policëve për “vrasjen nga pakujdesia”

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 15:08

    Policia e Kosovës nuk e ka përfshirë fare në raportin 24 orësh vdekjen në rrethana të dyshimta të 27-vjeçarit në Lipjan, pas arrestimit, shkruan Reporteri.net.

    Lidhur me vdekjen e tij, mbrëmë janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje pesë policë nën dyshimin për “Vrasje nga pakujdesia”, mirëpo tek raporti i Policisë që u dergohet mediave nuk figuron fare i evidentuar si rast.

    Për rastin në fjalë, ministri në detyrë i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar angazhim urgjent nga IPK dhe bashkëpunim të plotë të Policisë gjatë hetimeve.

    Sveçla ka thënë se pret që sa më shpejt të zbardhet e vërteta dhe familjarët e opinioni publik të njoftohet me të gjitha të gjeturat për rastin.

    “Jam thellësisht i prekur nga lajmi për vdekjen e qytetarit tonë para mëngjesit të djeshëm në Lipjan. Si Ministër i Punëve të Brendshme, sapo jam informuar për ngjarjen, kam kërkuar angazhim urgjent dhe profesional nga Inspektorati Policor i Kosovës si dhe bashkëpunim të plotë të Policisë së Kosovës gjatë këtij hetimi. Në kuadër të kësaj, hetimet tashmë janë duke u zhvilluar me intensitet maksimal.

    Bashkëpunimi mes Policisë së Kosovës, Inspektoratit Policor, Institutit të Mjekësisë Ligjore dhe Prokurorisë është kyç për zbardhjen e plotë të rrethanave të kësaj ngjarjeje të rëndë”, ka shkruar ai në Facebook.

    Në reagimin e tij pas më shumë se 36 orë, Sveçla thotë se askush s’është mbi ligjin, dhe fajtori do të përballet me drejtësinë duke marrë dënimin e merituar.

    Ai gjithashtu shton se Policia vazhdon të jetë institucion i besuar, dhe diçka e tillë duhet të ruhet, ndaj nuk do të kursehet askush.

    Lidhur me rastin ka nisur hetime edhe Avokati i Popullit.

    Presidentja Vjosa Osmani e as kryeministri në detyrë ende s’kanë reaguar lidhur me rastin./Reporteri.net

    Vdekja e 27-vjeçarit në Lipjan, sonte do të ndizen qirinj para Teatrit

    Reporteri
    08 Korrik 2025 | 14:42

    Sonte nga ora 20:30, para Teatrit Kombëtar organizohet aksion për ndezjen e qirinjve në nderim të A.Zejnullahut.

    Ai vdiq në rrethana ende të paqarta në Lipjan.

    Pesë zyrtarë policorë, në mesin e të cilëve edhe një rreshter po hetohen për rastin e vdekjes së 27-vjeçarit.

    Ata u suspenduan dhe u ndaluan për 48 orë me urdhër të Prokurorit të Shtetit.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!