×
  • Lajme
  • Lajme / 9 shkurti

    Vendimi i Supremes për votat me postë, VV paralajmëron ankesë në Gjykatën Kushtetuese

    Reporteri
    26 Mars 2025 | 17:22

    Lëvizja Vetëvendosje nuk po pajtohet me vendimin e Gjykatës Supreme, e cila sot ka hedhur poshtë ankesën e saj në lidhje me rezultatin votave me postë.

    Deputetja e zgjedhur e kësaj partie, Fitore Pacolli, ka paralajmëruar se do të ankohet ndaj këtij vendimi të Gjykatës Supreme.

    Në profilin e saj në “Facebook”, Pacolli ka shkruar se LVV-ja do të parashtron kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Supreme në Gjykatën Kushtetuese.

    “Paramendoni Prokuroria fillon hetimet për votat me postë ndërsa Gjykata Supreme hedh poshtë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje për të njëjtin proces pra për votat me postë 🤔. Lëvizja VETËVENDOSJE! do të parashtron kërkesë për vlerësimin e kushtetutshmërisë së vendimit të Gjykatës Supreme në Gjykatën Kushtetuese”, ka shkruar Pacolli.

    Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pathemeltë ankesën e Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me votat e ardhura me postë, duke i hapur kështu rrugë certifikimit të rezultateve të 9 shkurtit, shkruan Reporteri.net.

    Vendimi është marrë dje, teksa në faqen e Supremes është publikuar sot.

    “Gjykata Supreme e Kosovës, duke u nisur nga gjendja e tillë faktike dhe ligjore e çështjes, e pranon në tërësi si të drejtë dhe të bazuar qëndrimin juridik të PZAP-it, si në vendimin e tij, me të cilin e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e datës 17.03.2025, të parashtruar nga subjekti politik: Lëvizja Vetëvendosje (LVV), me seli në Prishtinë, lidhur me shpalljen e rezultateve përfundimtare për Zgjedhjet e Përgjithshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të mbajtura më datë 09.02.2025. Vendimi i PZAP është i qartë, i drejtë, i kuptueshëm dhe përmban arsye të mjaftueshme për faktet vendimtare nga vërtetohet se edhe e drejta materiale është zbatuar drejtë në kuptim të dispozitave ligjore…”, thuhet në arsyetim.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!