Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti përmes një postimi në plaftformën “X” ka theksuar sërish se nuk do të ketë masa ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit lidhur me çështjen e dinarit, shkruan Reporteri.net.
Madje kreu i ekzekutivit i ka bërë thirrje edhe institucioneve tjera ta bëjnë një gjë të tillë.
Tutje ai ka thënë se janë duke punuar për informacione më të plota të cilat do t’i bëjnë të ditura ditët në vijim.
“Qeveria e Kosovës, në kuadër të kompetencave të saj, nuk do të zbatojë asnjë masë ndëshkuese gjatë periudhës së tranzicionit dhe u bën thirrje shtyllave të tjera që të mbajnë me përkushtim të njëjtin qëndrim. Jemi duke punuar për informacione më të plota, të cilat do t’i zbulojmë në ditët në vijim”, ka shkruar i pari i Qeverisë në “X”.
Kryeministri Kurti edhe në një intervistë të dhënë për “Bloomberg” sot, ka thënë se i qëndron rregullores së re të Bankës Qendrore të Kosovës për operacione me para të gatshme, edhe pse vendimi është kritikuar nga SHBA dhe Bashkimi Evropian.
Ai ka thënë se Qeveria e tij nuk do të ndërhyjë në vendimin e Bankës Qendrore të Kosovës, të cilën e ka quajtur të pavarur në zbatimin e rregullores së saj, të hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Ai ka shtuar se serbëve etnikë do t’u jepet kohë për t’u përshtatur me vendimin e ri.
“Nuk mund ta kthejmë këtë vendim. Nuk do të kemi asnjë lloj mase ndëshkuese, nuk duam të ndëshkojmë askënd”, ka deklaruar Kurti.
Rregullorja e re e BQK-së lidhur me operacionet me paratë e gatshme ka hyrë në fuqi më 1 shkurt.
Sipas kësaj rregullore, valuta e vetme që lejohet të përdoret për kryerje të transaksioneve të pagesave me para të gatshme dhe në sistemin e pagesave në Kosovë është euro. /Reporteri.net/