Ministria e Financave ka njoftuar se është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë lidhur me shtesat për fëmijët që jetojnë në Kosovë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.
Në komunikatën e tyre thuhet se ky numër i prindërve ka pranuar njoftimin në e-Kosova dhe email për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë, ndërsa ata që s’kanë pranuar njoftime të tilla s’kanë nevojë të ndërmarrin ndonjë veprim.
“Në kuadër të programit për shtesat për fëmijë, është një numër i caktuar i prindërve, llogaria e të cilëve është përzgjedhur për verifikim shtesë për t’u siguruar se ata dhe fëmijët e tyre jetojnë në Kosovë. Të gjithë këta prindër kanë pranuar njoftimin në eKosova dhe në email adresat e tyre, me hapat e nevojshëm për të kompletuar verifikimin shtesë dhe për të ri-aktivizuar llogarinë e shtesave për fëmijë.
Nëse ju nuk keni pranuar njoftimin e tillë nga eKosova e as email nga MFPT, atëherë nuk keni nevojë të ndërmerrni ndonjë veprim. Programi i shtesave për fëmijë vazhdon si zakonisht, dhe ju do të pranoni shtesat sikurse çdo muaj në llogarinë tuaj”, thuhet në njoftim.
Ndryshe, ditë më parë Ministria e Financave ka nisur verifikim për ata që përfitojnë shtesa të fëmijëve.
Në emailin që Ministria ua ka dërguar disa prindërve thuhet se përkohësisht pezullohet pagesa e shtesave për fëmijë, deri kur në Qendrën për Punë Sociale të komunës ku jetojnë të dërgojnë dokumente për verifikim.
Në mesin e dokumenteve që kërkohen për secilin fëmijë që merr shtesa, prindërit duhet të sjellin vërtetimin e shkollës që dëshmon se fëmija i tyre ndjek mësimin në Kosovës ose kopjen e çertifikatës së vaksinave nëse fëmija nuk është nxënës.
Në korrik të këtij viti Qeveria ka prezantuar skemën e re për shtesat mujore për fëmijët. Sipas skemës së re, nënat me një ose dy fëmijë, do të marrin nga 20 euro në muaj për secilin fëmijë, ndërsa nënat me tre fëmijë e më shumë, do të marrin nga 30 euro në muaj për secilin fëmijë.
Nis verifikimi për ata që nuk jetojnë në Kosovë e i marrin shtesat e fëmijëve, u pezullohen pagesat