×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli kërkon vendim të shpejt për vizat nga Gjermania dhe Franca

    Reporteri
    03 Qershor 2019 | 13:20

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli po zhvillon takim me një delegacion franko-gjerman që përbëhet nga zyrtarë të Parisit e Berlinit, të cilët kanë ardhur në Kosovë për të diskutuar për përgatitjet e Samitit të Parisit dhe për zhvillimet politike në Kosovë e rajon.


    Bashkë me Kryeparlamentarin Kadri Veseli, në këtë takim po marrin pjesë edhe kryeministri Ramush Haradinaj dhe dy bashkëkryesuesit e ekipit të dialogut, Fatmir Limaj e Shpend Ahmeti.

    Burime brenda takimit, bëjnë të ditur se Kryeparlamentari, Kadri Veseli ka kërkuar nga delegacioni i Francës dhe Gjermanisë agjendë të qartë evropiane për Kosovën.

    Veseli po ashtu ka kërkuar nga musafirët që Gjermania dhe Franca duhet të marrin vendim të shpejtë e të drejtë për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa ka theksuar se Kosova nuk do të pranoj asnjë kusht tjetër pasi i ka plotësuar të gjitha kriteret.

    “Ne i kemi plotësuar të gjitha kriteret e kërkuara. Madje më shumë se secili vend i rajonit. Tani është radha juaj që të merrni vendimin e duhur dhe qytetarëve tanë tu hiqen vizat”, ka thënë Veseli gjatë këtij takimi, tregon burimi brenda takimit.

    Ndërsa, duke folur për Samitin e Parisit i cili pritet të mbahet më 1 korrik, Kryeparlamentari Veseli ka thënë se pret një udhëzues më të qartë pas Samitit të Parisit për të gjitha çështjet.

    “Çdo marrëveshje finale Kosovë-Serbi duhet të jetë e bazuar në Kushtetutën e Kosovës. Nuk do të pranojmë Asociacion me kompetenca ekzekutive dhe marrëveshje që cenon sovranitetin e Kosovës”, ka thënë Veseli gjatë takimit.

    Gjatë takimit me delegacionin franko-gjerman, Kryeparlamentari Kadri Veeli ka folur edhe për iniciativën e tij formimin e Tribunalit Ndërkombëtar për gjenocidin serb në Kosovë.

    Ai ka thënë se mijëra civilë të pafajshëm janë vrarë e masakruar nga forcat paramilitare të shtetit serb dhe edhe pas 20 vjetësh drejtësia nuk i ka gjykuar kriminelët.

    Andaj, siç mësohet nga burime brenda takimit, Kreu i Kuvendit ka thënë se Tribunali është i pashmangshëm dhe do të ndodhë, ndërsa ka theksuar se drejtësia vetëm sa i kontribuon paes së qëndrueshme mes dy popujve dhe Ballkanit Perëndimor.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!