×
  • Lajme
  • Lajme / Audio-incizimi

    Vetëvendosja shmang përgjegjësinë për komunikimin e Kusari-Lilës me Radoiçiqin

    Reporteri
    05 Qershor 2024 | 17:51

    Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka vazhduar heshtjen në lidhje me sekuencën e audio-incizimit në të cilin dëgjohet duke biseduar me terroristin Milan Radoiçiq, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Gjatë javës është publikuar sekuenca e thirrjes telefonike mes Kusari-Lilës dhe Slavko Simiqit, i cili gjatë kësaj thirrjeje ishte me Radoiçiqin.

    Shefja e grupit parlamentar të VV-së bisedon për pak sekonda. Kjo bisedë besohet se është zhvilluar në qershorin e vitit 2022.

    Ndryshe prej audio-incizimit të vitit të kaluar kur Kusari-Lila kishte reaguar, fillimisht duke mohuar bisedën dhe më vonë pranuar.  Ndërkaq, që nga e hëna ajo ka heshtur për sekuencën e re të video-incizimit.

    “Mimoza nuk është anëtare e VV-së”

    Mirëpo, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti të martën ka komentuar rastin me audio-incizimin. Ka thënë se po tentohet të “dramatizohet situata” dhe se është “situatë e montuar”.

    Ai ka shtuar se qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin, por nuk e ka cilësuar bashkëpunim bashkëbisedimin e Kusari-Lilës me Simiqin dhe më vonë edhe me Radoiçiqin.

    Kryeministri ka ndërhyrë edhe në punën e mediave, duke thënë se “nuk e di kah është marrë dhe si është marrë e si është montuar” audio-incizimi.

    Ai është pyetur nëse do të merren masa ndaj Kusari-Lilës pas këtij audio-incizimi, mirëpo Kurti ka thënë se ajo nuk është anëtare e VV-së, ani pse i prin grupit parlamentar të VV-së.

    “Unë jam kryetar i VV-së dhe Mimoza nuk është anëtare e VV-së. Edhe po të ishte, për këso gjërash ka komisione. Vetëvendosja nuk e ka kryetarin diktator”, ka thënë Kurti të martën në një deklaratë për media.

    Kryeministri është përqendruar më shumë te pushtetet e kaluara dhe lidhjet e tyre me Radoiçiqin.

    “Unë vet nuk i kam dëgjuar, por qytetarët e dinë se kush ka bashkëpunuar me Radoiçiqin dhe e kanë shumë të qartë pse dikush ikë sot e dikur ishte në kryeministri. Ajo është një situatë e montuar dhe Radoiçiq këtë muaj i bën 9 muaj që ndodhet i lirë në Serbi dhe trysnia duhet të ishte atje që ai të dorëzohet”, tha kryeministri, ani pse kjo bisedë mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit ka ndodhur në kohën e pushtetit të tij, më 2022 dhe një vit para se ai të merrte pjesë në sulmin në Banjskë, gjatë të cilit u vra polici i Kosovës, Afrim Bunjaku. Tre pjesëtarë të grupit terrorist u vranë gjatë përleshjes së armatosur me Policinë e Kosovës.

    “Bisedë që nuk duhej të ndodhte”

    Ndryshe prej kryeministrit që nuk ka komentuar nëse do të duhej të ndodhte biseda mes Kusari-Lilës dhe Radoiçiqit, këtë e ka bërë deputeti i VV-së, Mefail Bajqinovci. Ai ka thënë se biseda nuk tregon asgjë, ndonëse nuk do të duhej të ndodhte.

    “Ky rast nuk duhet shikuar në këtë prizëm. Mendoj që është një pikturë më e madhe. Tash po tentojnë që Radoiçiqin ta paketojnë kinse ka edhe raporte me neve, që është e pavërtetë. Këto përgjime që po dalin, janë të atyre përgjimeve të vitit të kaluar e që në fakt nuk tregojnë asgjë. Radoiçiqin duhet ta shikojmë ndryshe, atë i cili në kohën e Albin Kurtit ik maleve”, u shpreh Bajqinovci.

    “Trashëgimia e tyre nuk bëhet dot mëkat i Vetëvendosjes”

    Ishte zëdhënësi i VV-së, Arlin Manxhuka që të martën ka thyer heshtjen e partisë së tij për audio-incizmin e shefes së grupit parlamentar të VV-së, Mimoza Kusari-Lilës me terroristin Milan Radojçiq, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

    Ai ka thënë se trashëgimia e tyre (pushtetet e kaluara) nuk bëhet dot mëkat i Vetëvendosjes.

    “Trashëgimia e keqe e tyre nuk bëhet dot mëkat i yni. Ata që kanë bërë biznese, koalicione, qeveri e miqësi me Radoiçiqin nuk mund të na bëjnë gjyqin neve sot. Me neve Radoiçiq ikë maleve me bisht nën shalë, e nuk zë vend në karrigat e zyrës së Kryeministrit”, ka shkruar Manxhuka.

    “Kjo është sa për përkujtim për të gjithë korin kritikues e akuzues që i kemi dëgjuar dje e sot. Tjerat i gjykon më së mirë qytetari. Ai më së miri e di se ku ishte Lista Serbe dhe Radoiçiq para qeverisë sonë, dhe ku janë sot”, ka shtuar ai.

    Faji i opozitës

    Përtej krejt këtyre ka shkuar ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu. Fajin ia ka hedhur opozitës që, sipas saj, po tenton të tërheqë vëmendjen nga dështimi për rrëzimin e qeverisë apo shkuarjen në zgjedhje.

    Sipas saj, opozita asnjëherë s’ka kërkuar nga Serbia që ta dorëzojnë Radoiçiqin, e madje siç thotë ajo as nga ndërkombëtarët për t’i bërë presion Serbisë që t’i dorëzojë të gjithë terroristët.

    “Një opozitë që një terrorist që ka bërë sulm terrorist në Republikën e Kosovës nuk po kërkojnë asnjëherë nga Serbia që ta dorëzojnë atë, nuk kanë kërkuar nga partnerët ndërkombëtarë t’i bëjnë presion Serbisë që t’i dorëzojë terroristët, jo vetëm Radojiçiqin. Tash paskan kërkuar hetim ndaj Mimoza Kusarit, unë mendoj që kjo është një përpjekje për të larguar vëmendjen nga një dështim spektakolar që e patën, për rrëzim të qeverisë apo shkuarje në zgjedhje. Opozita duhet të jetë e bashkuar por ju e keni parë, njëra kërkon dorëheqje të qeverisë e tjetra shpërndarje të Kuvendit”, u shpreh Haxhiu.

    Gazeta online Reporteri.net gjatë dy ditëve të fundit ka provuar të marrë edhe një deklaratë nga vetë shefja e grupit parlamentar të VV-së, por e njëjta nuk i është përgjigjur thirrjes së mediumit.

    Biseda e saj ishte zhvilluar në kohën kur Milan Radoiçiqi ishte përfshirë në Listën e Zezë të SHBA-së./Reporteri.net/

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2025. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!