×
  • Lajme
  • Lajme

    Vetëvendosje tregon pozicionin e saj, pas deklarimit të Isa Mustafës se LDK shkon në opozitë

    Reporteri
    01 Nëntor 2019 | 23:40

    Lëvizja Vetëvendosje është e bindur se do të arrijë marrëveshje bashkëpunimi me Lidhjen Demokratike të Kosovës, për krijimin e qeverisë, megjithëse lideri i kësaj të fundit Isa Mustafa, nuk e sheh rrugë të vetme këtë opsion, duke shprehur vullnet për të qëndruar akoma në opozitë.


    “Gazeta Blic” ka kontaktuar me zyrën për media në Lëvizjen Vetëvendosje, lidhur me qëndrimin e Mustafës, karshi koalicionit të mundshëm qeverisës, por nga aty thanë se ka një frymë të mirë të bisedimit ndërmjet dy subjekteve politike, kështu duke përjashtuar mundësinë e mospajtimit për marrëveshje.

    “Që para zgjedhjeve, madje edhe para se të binte kjo qeveri ne kemi shprehur gatishmerinë për bashkëpunim të ndërsjell, madje tash e sa kohë po diskutojmë në drejtim të bashkëqeverisjes. Deri tani diskutimet po zhvillohen në frymë të mirë bashkëpunimi dhe ato do të vazhdojnë edhe më tutje. Përcaktimi i dy subjekteve është që partner të vetem në qeverisje të kenë njëra-tjetrën”, ka thënë zyra për media në një përgjigje për ‘Gazeta Blic’.

    Në anën tjetër Mustafa, në një intervistë për RTV21 e ka lënë si mundësi të hapur dështimin e marrëveshjes me VV-në.“Nëse nuk arrihet, LDK shkon në opozitë, por në asnjë rast nuk shkon me subjekte të tjera.

    Nuk do të shfyrtëzojmë asnjë rrugë tjetër, asnjë koalicion tjetër, nëse gjejmë zgjidhje me Vetëvendosjen. Vet fakti që ne po zhvillojmë negociata tregon se puna nuk është kryer, mirëpo kur zhvillon negociata atëherë nuk mund ta shpallësh të kryer punën. Këtu nuk mund të ketë fitues – ose dy palët do të jenë fituese, ose nuk do të kemi marrëveshje”, u shpreh ai.

    Kryetari i LDK-së po ashtu ka thënë se me Vetëvendosjen nuk kanë diskutuar rreth ndarjes së ministrive derisa ka shtuar se ministritë nuk do t’i ndajnë sipas fushave të caktuara.

    “Nuk kemi biseduar me Vetëvendosjen. Unë kam parë deklarata dhe shkrime të ndryshme se cila ministri duhet t’i takojë cilës parti, por këto janë më tepër çështje dëshirash sepse duhet të ulemi dhe të mendojmë sepse duhet ta marrim përgjegjësinë proporcionale”, shtoi ai.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!