×
  • Lajme
  • Lajme

    Vitia pas takimit me Kosnettin paralajmëron ashpërsim të masave anti-COVID

    Reporteri
    01 Prill 2021 | 13:59

    Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia priti sot në takim Ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip S. Kosnett.


    Në këtë takim, ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar për situatën rreth COVID-19 në Kosovë, për të cilën është vlerësuar se është shqetësuese dhe kërkohet respektim i masave në fuqi, pa e përjashtuar edhe plotësimin e këtyre masave me të tjera, duke u bazuar në ecurinë e situatës epidemiologjike në vend.

    Në takim është theksuar se pandemia ka përkeqësuar situatën, përveç në rrafshin shëndetësor edhe në atë ekonomik e social.

    Ministri Vitia dhe Ambasadori Kosnett kanë diskutuar edhe për fillimin e procesit të vaksinimit kundër COVID-19 në Kosovë dhe angazhimet e Qeverisë dhe MSh për sigurimin e dozave te tjera me qëllim që të arrihet një mbulueshmëri sa më e lartë e popullatës me vaksinim.

    Në këtë aspekt, Ministri Vitia e ka vlerësuar si shumë të nevojshme ndihmën nga partnerët dhe është shprehur mirënjohës për SHBA-të të cilët janë një nga donatorët kryesorë të skemës globale të vaksinimit, COVAX si dhe kontributin e përhershëm për shëndetësinë në Kosovë.

    Ambasadori Kosnett ka theksuar se SHBA-të përmes programeve të tyre do të vazhdojnë të jenë partner të institucioneve të Kosovës në fuqizimin e angazhimeve për përballimin e situatës me COVID-19 dhe sigurimin e një përgjigje adekuate ndaj kësaj situate, me qëllim të mbrojtjes së shëndetit publik të popullatës në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!